
Kërcënoi me granatë në dorë, punonjësit e Policisë, me qëllim moslejimin e kontrollit të banesës dhe më pas tentoi të largohej, por falë ndërhyrjes profesionale, shërbimet e Policisë gjatë ndjekjes neutralizuan dhe prangosën 51-vjeçarin.
Një 51-vjeçar i dënuar më parë për vrasje dhe kontrabandë ka kryer kërcënuar për disa minuta më radhë forcat e policisë në Gjirokastër.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në kohën kur forcat e rendit pasi kishin marrë informacion se ky shtetas mbante armë në banesë, kanë shkuar për kontroll në lagjen “11 janari”.
Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar pranë banesës së tij, shtetasi A. I. ka marrë një granatë difensive me vete dhe ka tentuar të largohet duke kërcënuar punonjësit e Policisë që të mos e ndiqnin, pasi do t’i qëllonte.
Shërbimet e Policisë, nisur nga rrezikshmëria që paraqiste ky person, kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe pas disa minutash kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e këtij shtetasi, i cili mbante me vete një granatë difensive të montuar me ndezës universal.
Gjithashtu, si rezultat i kontrollit të banesës, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, një krehër dhe 19 fishekë.
Po ashtu në banesë i kanë gjetur dhe një armë zjarri kallashnikov me një krehër me fishekë luftarakë.