
Nga Daron Acemoglu, Project Syndicate
Pas miratimit në Hungari të një ligji që ndalon “përmbajtjen mbi komunitetin LGBTQ” në tekstet shkollore qershorin e vitit të kaluar, kryeministri holandez Mark Rutte arriti në përfundimin se Budapesti “nuk ka më vend në Bashkimin Evropian”.
Ai ka të drejtë. BE duhet të nisë procesin e dëbimit të Hungarisë nga unioni, dhe më pas duhet të marrë në konsideratë të bëjë të njëjtën gjë në të ardhmen me Poloninë. Gjatë dekadës së fundit, këto dy vende e kanë minuar vazhdimisht sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike, të cilat supozohet të jenë në zemër të projektit evropian.
E ashtuquajtura “ demokraci jo-liberale” nga kryeministri hungarez Orban, është një etiketim iluzor:në fakt aty nuk ka më asnjë demokraci mbi të cilën mund të flitet. Gjykatat janë gjithnjë e më shumë nën kontrollin e partisë Fidesz të zoti Orban.
Mediave u ka mbetur shumë pak liri; organizatat e shoqërisë civile po veprojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të qeverisë; dhe universiteteve u është hequr tashmë edhe ajo pak autonomi që kishin. Ndërkohë edhe në Poloni, partia po aq autoritare që është aktualisht në pushtet, Ligj dhe Drejtësi (PiS), ka ndjekur haptazi shembullin e Orban.
Ndonëse ende nuk e ka penguar shoqërinë civile dhe opozitën në të njëjtën shkallë si në Hungari, ajo po minon në mënyrë të vazhdueshme institucionet demokratike të vendit. Nga perspektiva e BE-së, refuzimet e të dyja vendeve për të marrë pjesë në një Zyrë të re të Prokurorisë Publike Evropiane (EPPO), duhet të jetë pika e fundit që duhet të derdhë gotën.
E ngritur që në qershor, EPPO ka mandatin për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e abuzimit, përvetësimit dhe krimet e tjera me fondet e BE-së. Sjellja e Budapestit dhe Varshavës nuk është për t’u habitur, pasi ka prova të shumta që përfshijnë Fidesz dhe PiS në abuzime të tilla. Duke refuzuar që të njohin autoritetin e EPPO-së edhe pse ndërkohë po vazhdojnë të marrin fonde nga BE-ja, Hungaria dhe Polonia po tallen me projektin evropian dhe gjithçka që përfaqëson ai.
Për më tepër, tani ekziston një argument tjetër pse BE-ja duhet të veprojë kundër Hungarisë dhe Polonisë. Me ripushtimin e Afganistanit nga talebanët, nuk ka më asnjë dyshim se ka dështuar përpjekja e Perëndimit për të vendosur demokracinë dhe sundimin e ligjit me forcë dhe përmes ndihmës së huaj.
Tani e tutje, vendet perëndimore do të duhet të udhëheqin përmes shembujve të tyre. Siç e tha dikur presidenti amerikan Jimmy Carter në fjalimin e tij inaugurues:“Mënyra më e mirë për të zgjeruar lirinë në vendet e tjera, është të dëshmojnë se këtu në SHBA sistemi ynë demokratik është i denjë për t’u kopjuar nga të tjerët”.
Në studimin e ri që shqyrton të dhëna nga më shumë se 110 vende, Nicolás Ajzenman, Cevat Giray Aksoy, Martin Fiszbein, Carlos Molina dhe unë tregojmë se institucionet demokratike gjenerojnë një besim më të madh tek të tjerët kur sigurojnë rritje ekonomike, paqe, stabilitet dhe shërbime publike.
Dhe provat nga 4 dekadat e fundit, sugjerojnë se demokratizimi vazhdon sipas skemës së valëve rajonale, pjesërisht sepse kërkesa për demokraci përhapet nga një vend në tjetrin. Edhe hapat prapa në raport me demokracinë kanë ndjekur një model të ngjashëm.
Kur demokracitë ekzistuese duken më pak të denja për t’u imituar, institucionet demokratike kanë më pak gjasa të përhapen. Këto konsiderata vlejnë dyfish për Bashkimin Evropian, duke pasur parasysh se misioni i tij është krijimi i institucioneve demokratike në nivel mbi-kombëtar.
Në një kohë kur bashkëpunimi global është i nevojshëm më shumë se kurrë më parë, eksperimenti historik i BE-së duhet parë si një histori suksesi. Në fundin e Luftës së Dytë Botërore, kontinenti u shkatërrua dhe u dobësua shumë ekonomikisht, duke harxhuar për armatime të gjitha burimet e tij.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin plot me teknologji moderne si frigoriferë, ngrohje qendrore, sistemet e brendshme hidraulike dhe sistemet e transporti civil, këto nuk gjendeshin askund në Evropë. Në Britani, vend që e përballoi luftën më mirë se pjesa tjetër e kontinentit, vetëm gjysma e shtëpive në vitin 1947 kishin ujë të nxehtë apo një sistem hidraulik të brendshëm.
Në Gjermani, shumë qytete të mëdha – përfshirë Hamburgun, Këlnin, Dyseldorfin, Drezdenin dhe Berlinin – u rrënuan pas sulmeve bombarduese të forcave Aleate. Rreth 20 milionë gjermanë ishin të pastrehë, dhe 10 për qind e popullsisë së paraluftës kishte vdekur.
Pjesa tjetër e Evropës nuk ishte më mirë. Franca e pushtuar, Belgjika dhe Holanda u përballën me rimëkëmbje që kërkoi shumë kohë,pasi gjatë luftës u plaçkitën egërsisht nga nazistët. Mbi të gjitha, armiqësitë historike-veçanërisht kundër Gjermanisë-ishin në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.
Shumë njerëz supozuan se komunizmi apo diktaturat konservatore, kishin gjasa të hidhnin më shumë rrënjë se demokracia. Paqja shihej në rastin më të mirësi e dobët. Por siç e dimë tanimë, paqja dhe demokracia hodhën rrënjë dhe lulëzuan në të gjithë Evropën Perëndimore, përveç Spanjës dhe Portugalisë (që mbetën nën diktaturat e tyre gati fashiste deri në dekadat e mëvonshme).
Në aspektin ekonomik, situata u përmirësua pothuajse në mënyrë të pabesueshme. Tre dekadat pas luftës u bënë të njohura si ‘les trente glorieuses’, 30 vitet e lavdishme. Kohët e fundit, zgjerimi i BE-së në Evropën Qëndrore dhe Lindore ishte gjithashtu një histori suksesi.
Është vështirë të imagjinohet që Hungaria, Çekosllovakia, Polonia dhe vendet baltike mund të kishin një tranzicion kaq të shpejtë demokratik, pa perspektivën e pranimit dhe ndihmës financiare nga BE. Dhe është po aq e pamundur që Polonia të bëhej pa BE-në një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë.
Por zgjerimi drejt lindjes, tani duket si “Thembra e Akilit” e Evropës. Hungaria dhe Polonia simbolizojnë sot mosfunksionimin dhe dobësitë institucionale të BE-së. Sigurisht, dëbimi i Hungarisë nga unioni dhe një kërcënimi i besueshëm ndaj Polonisë, është një vendim serioz që nuk duhet të merret me ngut.
Çdo shtet anëtar mund të zgjedhë teorikisht një qeveri që mund të përpiqet të dobësojë institucionet demokratike (siç bëri Italia me Silvio Berlusconi apo Britania sot me Boris Johnson). Në përgjithësi, mënyra më e mirë për t’u përballur me liderët e mundshëm autoritarë, është të lejosh institucionet demokratike të bëjnë punën e tyre, dhe t’u besosh votuesve se do të arrijnë ta largojnë nga pushteti politikanët e rrezikshëm.
Por Hungaria është bërë përjashtimi që e anulon rregullin. Pas më shumë se një dekade nën partinë Fidesz të zotit Orban, demokracia e saj duket se është plagosur për vdekje, duke ngritur dyshime nëse votuesit mund të rrëzojnë ndonjëherë regjimin aktual.
Sa më gjatë që BE-ja të vazhdojë ta trajtojë Hungarinë si një demokraci normale, aq më shumë dëm do t’i bëjë imazhit të vet. Brukseli duhet të fillojë procesin e ndryshimit të rregullave të tij, në mënyrë që të mund të ndërmarrë veprime energjike kundër Hungarisë dhe Polonisë, edhe nëse këto vende përpiqen të përdorin fuqinë e tyre të vetos.
Më pas ajo duhet të evokojë Nenin 7 të Traktatit për Bashkimin Evropian, për të pezulluar të drejtën e votës së Hungarisë, dhe pastaj të ndalë shpërndarjen e fondeve të BE-së për këtë vend derisa të gjejë mënyrën më të mirë për ta dëbuar nga unioni. Me përjashtim të skenarit të një rikthimi në demokraci në minutën e fundit, Hungaria duhet të largohet në mënyrë që të mbijetojë projekti evropian.