
Anëtari i Komisionit të Sigurisë në PS, Xhemal Qefalia, i ftuar këtë të martë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, e konsideroi një gjë normale dorëheqjen e Ardi Veliut nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit, duke mos e komentuar më tej veprimin e tij.
Sa i përket rrëzimit të avionit sportiv në Vermosh dhe akuzave të Partisë Demokratike se mund të ketë qenë duke transportuar drogë, Qefalia tha:
“Është një çështje që mbetet për t’u sqaruar me detaje. Shumë shpejt do të ketë veprime të sakta nga organet përkatëse. Opozita është në të drejtën e saj të mendojë çdo gjë, por janë organet e drejtësisë ato që do të zbardhin sa më shpejt ngjarjen dhe do të kryejnë detyrën.”
Për atentatin mafizon që tronditi dje Elbasani, Qefalia u shpreh se organet ligjzbatuese shqiptare duhet të koordinohen me njëra-tjetrën.
“Opinioni publik është i shqetësuar, kryesisht qytetarët e Elbasanit, por organet ligjzbatuese shqiptare duhet të koordinohen me njëra-tjetrën. Jo vetëm policia, por edhe organet e drejtësisë. Situata është nën kontroll. Atje kanë ndodhur ngjarje të reja, por e rëndësishme është reagimi i Policisë së Shtetit dhe organet e tjera.”