
Një modele Instagrami ka ndihmuar mamanë e saj të arratiset nga burgu, duke hutuar një roje të institucionit. Kështu të paktën u dëshmua gjatë seancës gjyqësore kundër saj, të mbajtur këtë javë në Kolumbi.
21-vjeçarja Aída Victoria Merlano, raportohet të ketë thurur një plan tepër të guximshëm për të nxjerrë mamanë e saj nga burgu, duke përdorur edhe një litar dhe një bashkëpunëtor me motoçikletë. Aída Merlano Rebolledo arriti të arratisej nga një burg në Bogota duke zbritur nga dritarja e katit të tretë të një salle stomatologjie në vitin 2019.
Politikania, në atë kohë 38 vjeç, ishte dënuar me 15 vite burg për mashtrim në votime, korrupsion dhe armëmbajtje pa leje, vetëm gjashtë muaj pasi kishte fituar zgjedhjet si senatore. Vajza e saj u akuzua për bashkëpunim, por u la e lirë me kusht dhe vazhdimisht poston foto për 2,5 milionë ndjekësit e saj në Instagram.
Mundësia e arratisjes iu dha kur shikoi në një takim te dentisti, që ishte jashtë burgut, ku më pas u la e vetme në dhomë. Një video e publikuar nga media kolumbiane “El Tiempo” fiksoi të gjithë momentin e arratisjes. Ajo u arrestua pak muaj më vonë, në janar 2020, në Venezuelë.