
Avokati i Popullit në Bashkimin Europian akuzoi Komisionin Europian për keqadministrim, për faktin se nuk ka bërë publike mesazhet e shkëmbyera mes presidentes së institucionit, Ursula von der Leyen dhe CEO-s së Pfizer, Albert Bourla, për të vulosur kontratën e blerjes së vaksinave anti-Covid.
Në një intervistë në prill, Von der Leyen zbuloi se kishte komunikuar me mesazhe telefonike për rreth një muaj, me drejtuesin e kompanisë amerikane që prodhon vaksina kundër koronavirusit, teksa po negocionin për kontratën e vaksinave. Por pas interesimit të mediave, Komisioni tha se këto mesazhe nuk ishin regjistruar.
“Mënyra sesi u trajtua kjo kërkesë për qasje në informacion tregon se nuk është bërë asnjë përpjekje as për të identifikuar nëse ka pasur apo jo mesazhe”, tha Avokati i Popullit i BE, Emily O’Reilly. “Institucioni ynë zbuloi se kjo sjellje përbën keqadministrim”. Institucioni i kërkoi Komisionit Europian të verifikojë edhe një herë ekzistencën e këtyre mesazheve dhe të kthejë një përgjigje deri më 26 prill.
Një zëdhënës i Komisionit Europian tha se do t’i kthehej një përgjigje Avokatit të Popullit, por shtoi se nuk kishte asnjë detyrim ligjor për të ruajtur mesazhet telefonike, për sa kohë nuk klasifikohen si dokumente. Kërkesat e Avokatit të Popullit nuk janë detyruese, vetëm rekomandime, por zakonisht bëjnë që të ketë më shumë kërkesë llogarie nga ana e Parlamentit Europian.