
Operacioni i fundit në Belgjikë ku u godit banda shqiptare e trafikut të drogës ka nxjerrë në pah edhe përmasat me të cilat operojnë trafikantët shqiptarë të drogës që nga Amerika e Jugut deri në Belgjikë.
Policia belge ka piketuar 49 lokacione në të cilat shtrihet dominimi i trafikantëve shqiptarë në Belgjikë, veçanërisht në qytetin e Antwerpit që është një nga portet më të rëndësishme nga ku kalon kokaina e sjellë nga Amerika e Jugut drejt vendeve të tjera evropiane.
Operacioni i fundit është rezultat i hetimeve të prokurorisë dhe policisë belge që prej viti 2018. Në vitin 2020 hetuesit belgë goditën një rast tjetër të trafikut ndërkombëtar të drogës. Pas këtij viti trafikantët shqiptarë filluan të gjejnë ura të tjera komunikimi duke shkëmbyer mesazhet e tyre përmes aplikacionit Sky ECC.
Nga ana tjetër, policia belge filloi të intensifikojë punën e saj pasi kuptoi se mafia shqiptare po fuqizohej duke marrë përmasa të mëdha sepse ajo kishte shumë degëzime, si në Evropë ashtu edhe jashtë saj. Për këtë arsye, mediat belge shkruajnë se kjo e bëri mafian shqiptare që të ishte dominuese në Belgjikë.
Në tetor të vitit të kaluar policia belge bëri goditjen e radhës ndaj mafias shqiptare duke bastisur shtëpi, duke sekuestruar laboratorë drogë e kokainë si dhe duke vendosur në pranga 64 persona ku shumica e tyre janë në burg.
Porti i Antwerpit rezulton të jetë baza e trafikut të kokainës që sillet në këtë qytet nga Amerika e Jugut për t’u shpërndarë e tregtuar në vendet e tjera të Evropës. Trafikantët shqiptarë përdorin kompani transporti, transport mallrash apo avionë privatë, por edhe transport kontejnerësh nëpërmjet porteve të Le Havre dhe Hamburg për të dërguar kokainën në vendet e tjera.
Sipas autoriteteve belge, çuditërisht në mafian shqiptare aktualisht nuk po u jepet rëndësi lidhjeve të gjakut, klaneve apo rivaliteteve, rëndësi ka që kokaina të trafikohet. Kjo i ka dhënë hapësirë dhe mundësi mafias shqiptare për të bashkëpunuar me kartelet e Amerikës së Jugut.
“Ato janë sipërmarrje të përbashkëta, sipas modelit klasik të shoqërive tregtare, të cilat formohen sipas nevojat të organizatave”, thotë prokurori i përgjithshëm belg. Ata filluan të kontribuojnë të gjithë sipas profilit të tyre, kartelet në Amerikën e Jugut prodhojnë kokainë, shqiptarët merren me transportin dhe shpërndarjen, shkruajnë mediat belge.
Qëllimi i karteleve dhe mafias shqiptare është i thjeshtë; i gjithë procesi të kushtojë sa më pak dhe të fitojnë sa më shumë. Fitimet e krijuara përmes trafikut të kokainës, kokat e këtyre bandave kanë vendosur që ta pastrojnë përmes pasurive të paluajtshme, bizneseve të ligjshme por edhe në kriptomonedha.
Në operacionin e fundit u sekuestruan kokainë, para, orë luksoze, diamante dhe automjete luksoze. Detektivët kanë ndjekur edhe gjurmët e kokainës, ndërsa janë bërë kërkime në Spanjë, Itali, Gjermani, Kroaci dhe Holandë, ku vetëm në Belgjikë u arrestuan 30 persona.