
Kombëtarja Shqiptare pësoi një tjetër rezultat zhgënjyes në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve. Sfida me Izraelin në “Air Albania” përfundoi me rezultatin 2 me 1 për kundërshtarët.
Në fraksionin e parë kuqezinjtë ishin dominues në fushë, kishin siguri dhe agresivitet. Tentuam të godisnim portën disa herë dhe u shpërblyen ne minutën e 45` me një penallti të fituar nga Balliu e cila u shndërrua në gol nga Armando Broja.
Pjesa e dytë nisi dobët. Shqipëria u dorëzua dhe loja mori një rrjedhë tërësisht tjetër. Të papërgatitur u gjendën përballë golit të barazimit, i cili u shënua në minutën e 57` nga Solomon.
Tekniku Italian Edi Reja u përpoq të sillte freski në fushë me zëvendësimet e bëra, por kjo nuk solli asnjë ndryshim në paraqitjen e kuqezinjve. Në të 73` miqtë shënuan golin e përmbysjes duke sjellë heshtjen në “Air Albania”.
Megjithatë pas disa minutash Shqipëria shënoi një gol me anë të Elseid Hysaj, i cili u anulua nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje.
Tashmë pas dy ndeshjeve të luajtura në Ligën e Kombeve, Kombëtarja Shqiptare renditet e 3-ta me vetëm një pikë.
Në 13 qershor kuqezinjtë do të përballen me Estoninë në një ndeshje miqësore.