
Festa e “Mjaltit të Parë” ka bërë bashkë në qytetin e Bilishtit bletërritës nga vendi dhe nga Kosova, Turqia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Ata kanë ekspozuar mjaltin e parë të këtij viti ashtu si edhe prodhime të tjera të bletarisë.
Është hera e parë që kaq shumë bletërritës të bëhen së bashku për të ndarë eksperiencat. Driton Dikena, Kryetar i Shoqatës Së Bletërritësve të Tetovës thotë se organizimi i festave të përbashkëta, në të gjitha qytetet shqipfolëse të Ballkanit do të jetë në funksion të prodhimit të përbashkët të markës shqiptare.
Por përfaqësuesi i shqiptarëve të Malit të Zi mendon ndryshe pasi sipas tij nuk është e lehtë të unifikohet prodhimi i mjaltit në një markë të vetme, qoftë kjo edhe shqiptare.
Për Hil Hilën, kryetar i shoqatës së bletërritësve lezhjanë, qeveria duhet të bëjë më shumë me anë të subvencioneve. Festa e ‘Mjaltin e Parë” organizohet për herë të parë në këto përmasa në qytetin e Bilishtit.