
Pas ambasadores së SHBA, edhe kryeministri Rama ka reaguar për procesin zgjedhor të kreut të ri të SPAK.
Përmes Twitter-it, Rama shkruan se thashethemet duhet të marrin fund pasi kreun e SPAK nuk e zgjedh qeveria as ambasada por Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Kreu i qeverisë inkurajon anëtarët e KLP të bazohen veçse në biografinë dhe profilin e kandidatëve.
“Jam plotësisht dakord me @USAmbAlbania dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet!
Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër.”– shkruan Rama.