
Lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se mashtroi qytetarët duke iu premtuar rritje pagash, ndërkohë që projekt-ligji po zvarritet nga parlamenti.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha deklaroi se shefi i qeverisë i përdori premtimet për pagat, për t’u marrë votën shqiptarëve, ndërkohë që nga ana tjetër mbylli parlamentin gjatë javëve të fushatës elektorale.
SALI BERISHA
“Të tallesh me njerëzit që numërojnë edhe qindarkat për të mbyllur 15-ditëshin apo muajin, duke i joshur ata me premtime boshe, është një akt cinik, dhe kur e bën në fushatë elektorale është një krim elektoral.”
Berisha ka ftuar mazhorancën të mbledhë parlamentin këtë javë, duke premtuar se opozita do të votojë pro ligjit për rritjen e pagave.
“I them Edi Ramës, bëhu njëherë njeri me ndjenja për qytetarët dhe hajde të votojmë ligjin për rritjen e rrogave. Përgjigju ofertës sonë, ofertë e cila ka si synim, absolutisht jo bashkëpunimin me ty, se ti e ke faktuar veten një armik të interesave të qytetarëve dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, por ka si qëllim mbështetjen e qytetarëve shqiptarë.”
Sipas Berishës, e enjtja do të tregojë se kush e ka seriozisht rritjen e pagave.
“E enjtja është një ditë prove për të vërtetën e këtij premtimi dhe unë i garantoj shqiptarët se të gjithë votat tona do shkojnë për ligjin e rritjes së rrogave dhe pensioneve.”
Fillimisht në kalendarin e punimeve të parlamentit ishte llogaritur që në datë 27 prill, të mblidhej seancë për të votuar ligjin për rritjen e pagave. Por siç sqaroi dhe vetë kryeministri Rama, votimi i tij u shty, pasi deputetët kërkuan që të përfitonin dhe ata nga rritja e rrogave.