
Deputeti i Bundestag i CDU/CSU njëkohësisht dhe një nga personat e rëndësishëm të kësaj force politike Gunther Krischbaum takoi ditën e sotme kryetaren e Komisionit të Çështjeve Europiane znj Jorida Tabaku dhe zhvilloi me të një takim së bashku me Komisionin e Çështjeve Europiane.
BIseeda qe e fokusuar në rrugën që ka ndërmarrë Shqipëria në lidhje me procesin e Integrimit pasi z. Krischbaum është një njohës shumë i mirë i këtij procesi si pasojë e raportit të tij të drejtë përdrejtë që ka pasur me Shqipërinë dhe shqiptarët. Deputeti CDU, Krischbaum, u shprehu keqardhje që kushtet e vendosura nga Bundestagu ende nuk janë plotësuar duke nënvizuar çështjen e reformës zgjedhore. Ai nuk harroi të vlerësonte rëndësinë që ka vota e diasporës që është një element kyç që duhet përfshirë sa më shpejt në legjislaacionpo kështu nuk harroi të përmendë transparencën e financimit të partive dhe fushatave elektorale.
Për sa i përket procesit të Berlinit dhe procesit që po kalon Shqipëria lidhur me integrimin në BE, në këtë fazë që ndodhet, qytetarët e vendit duhet të jenë të parët dhe të shikohen me prioritet si ata që duhet të prekin dhe të përfitojnë nga benefitet që vijnë. “Kjo do të ndihmojë dhe në ndalimin e fenomenit të brain drain.”
Deputeti kristianodemokrat u shpreh se Reforma në Drejtësi dhe Krijimi i SPAK janë përshendetur dhe kërkuar nga Bundestagu gjerman ndërkohë që theksoi se korrupsioni i niveleve të larta është i rëndësishëm për t’u ndëshkuar. Sakaq u nënvizua se është jetike që korrupsioni të ndëshkohet pa pasur asnjë dallim nga ngjyra e partisë, pasi lufta kundër tij është jetik për shoqërinë shqiptare dhe proceset integruese.
Nga ana e saj kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Tabaku, u shpreh se tanimë Shqipëria rrezikohet jo më nga korrupsioni i vogël por nga ai i niveleve të larta. Nga kapja e shtetit përmes ligjeve me porosi dhe mbi të gjitha përmes nivelit të lartë të korrupsionit. Ajo u shpreh se PD është në krahun e SPAK pasi ka këmbëngulur që ky i fundit të krijohej ndërsa e ka mbështetur pa rezerva veprimtarinë e tij. deputetja e PD kujtoi se në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Integrimit, kishte shfaqur mbështetje pa kushte për punën e SPAK ndërsa kishte kërkuar nga mazhoranca përshpejtimin e dërgimit të ligjeve për ndryshimet në Reformën në Drejtësi kërkuar edhe nga z. Dumani. “Lufta kundër Korrupsionit” u shpreh znj Tabaku “duhet të jetë prioritet kombëtar”
Shqetësime të tjera që u diskutuan në takim ishin reforma administrative ku Z. Krischbaum cilësoi administratën publike si tejet të polarizuar dhe që kjo duhet të ndaloj dhe shqetësimi tjetër lidhej me dosjen 339 dhe 184 lidhur me shitblerjen e votës ku i dyshuari kryesor ishte Vangjush Dako.