
Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot në Davos se Rusia nuk duhet të lejohet të fitojë luftën në Ukrainë.
Për këtë arsye, ai theksoi se evropianët duhet të rinovojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar Kievin këtë vit, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti homologun e tij rus Vladimir Putin një “grabitqar” që nuk do të kënaqet nga një konflikt “i ngrirë” në Ukrainë, ndërsa i kërkoi Perëndimit armë dhe investime për vendin e tij.
“Pas vitit 2014 pati përpjekje për të ngrirë luftën në Donbass (në Ukrainën lindore). Kishte garantues shumë me ndikim, si kancelarja e Gjermanisë (Angela Merkel), presidenti i Francës (Francois Hollande). Por Putini është një grabitqar që nuk është i kënaqur me produktet e ngrira”, tha Zelensky dje në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Zelensky gjithashtu akuzoi Putinin për përpjekje për të normalizuar zhvendosjet masive, fshatra dhe qytete të rrafshuara dhe ndjenjën e tmerrshme se lufta mund të mos përfundojë kurrë. /vizionplus.tv