
Me organizimin e garës së sotme humanitare për të prekurit nga tragjedia e Koçanit, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe rrjeti i Shtëpisë së Evropës do të shënojnë këtë vit “Ditën e Evropës”.
“Njëkohësisht në shtatë qytete të vendit: Shkup, Strumicë, Kriva Pallankë, Manastir, Veles, Strugë dhe Tetovë, do të vrapojmë së bashku me një qëllim të vetëm: Ta shtrijmë dorën për Koçanin. “TË GJITHË PËR KOÇANIN – VRAPOJMË SË BASHKU!”, është një garë humanitare ku mund të marrë pjesë secili, pa dallim të moshës ose gatishmërisë fizike. Garat janë destinuar për të gjithë: rekreativistë, sportistë, amatorë, të rinj e më të vjetër, sepse nuk bëhet fjalë për kilometra, por për solidaritet”, thekson Delegacioni i BE-së.
Regjistrimi, siç u tha, është i hapur dhe mund të bëhet përmes platformës https://sitezakocani.mk, ku të gjithë të interesuarit mund të zgjedhin qytetin dhe të bëhen pjesë e garës më të rëndësishme të këtij viti.
Të gjitha mjetet e mbledhura nga tarifat e regjistrimit do të dhurohen përmes Kryqit të Kuq, i cili do t’i drejtojë ato për komunitetin në Koçan, duke siguruar që çdo donacion të shkojë aty ku duhet më shumë.
“Më 25 maj nuk do të vrapojmë për rezultate, as për çmime – do të vrapojmë për solidaritet dhe për vlerat që na përcaktojnë si shoqëri dhe si komunitet. Të gjithë për Koçanin – të vrapojmë bashkë! Bashkohuni me ne, ngjarja synon të mbledhë fonde për të prekurit nga tragjedia e fundit në Koçan. Po ashtu, në ditën e garës do të vendoset edhe një kuti donacionesh nga Kryqi i Kuq, ku të gjithë të pranishmit do të kenë mundësi të dhurojnë shtesë”, thuhet në njoftimin për garën humanitare.
Gara është e dedikuar për qytetarët e të gjitha grupmoshave, pavarësisht nga gatishmëria fizike. Regjistrimi tani është mbyllur dhe të gjitha informacionet shtesë rreth vendndodhjeve dhe orareve të garave mund të gjenden në mediat sociale të secilës Shtëpi të Evropës individualisht.
Mjetet e grumbulluara nga regjistrimi do t’i paguhen Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të drejtohen në mbështetje të komunitetit në Koçan
The post Delegacioni i BE-së në RMV shënon ditën e Evropës me garë humanitare “Të gjithë për Koçanin – vrapojmë së bashku” appeared first on Telegrafi.