
Ministria Bullgare e Punëve të Jashtme merr në konsideratë Raportin e miratuar me shumicë bindëse nga Parlamenti Evropian, i cili, siç thonë ata, shmang përfshirjen e institucionit në përpjekjet për instrumentalizim politik nga ana e Maqedonisë së Veriut, që synojnë anashkalimin e detyrimeve që rrjedhin nga i ashtuquajturi kompromis evropian i vitit 2022.
Kjo thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Jashtme Bullgare pas Raportit të miratuar mbi progresin e vendit drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Nga atje thonë se në kontekstin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, çështjet që lidhen me identitetin dhe gjuhën duhet të merren në konsideratë brenda kornizës së diskursit shkencor dhe akademik, pasi nga natyra e tyre ato nuk bien në fushëveprimin e vlerësimit institucional të progresit të vendeve kandidate në lidhje me kriteret objektive dhe të matshme të pranimit.
“Me vendimin e sotëm, Parlamenti Evropian konfirmoi rolin e tij si një organ i paanshëm dhe i pavarur i dedikuar për monitorimin e progresit të reformave në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me rëndësi të veçantë janë gjetjet në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, funksionimit të institucioneve demokratike, zbatimit të reformave kyçe, zbatimit të detyrimeve kontraktuale, si dhe ndikimit të aktorëve të jashtëm. Këto janë aspektet që duhet të jenë në fokus të përpjekjeve të autoriteteve në Shkup, nëse qëllimi mbetet integrimi i qëndrueshëm evropian”, thonë nga MPJ e Bullgarisë.
Ministria e Jashtme bullgare deklaron se Sofja mbështet vazhdimisht perspektivën evropiane të të gjitha vendeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, bazuar në kritere objektive anëtarësimi dhe me zbatim të rreptë të parimit të meritave të veta./Telegrafi/
The post MPJ e Bullgarisë për Raportin: Maqedonia e Veriut dështoi ta përfshijë PE-në në instrumentalizimin politik appeared first on Telegrafi.