
Iniciativa “Më mirë për Tetovën” do të merr pjesë në zgjedhjet lokale të 19 tetorit, ku do të garojë me listë për këshilltarë. Nga kjo iniciativë thonë se “ndërtimet pa leje, korrupsioni masiv, uzurpimi i hapësirave të gjelbra, partizimi i institucioneve e në veçanti i shkollave”, i ka detyruar të marrin këtë hap.
“Pas dekadave keqmenaxhim nga partitë politike dhe mungesës së një perspektive shpresëdhënëse, Tetova ka nevojë për një zë të pavarur – zëri i qytetarëve që nuk duan të bëhen pjesë e pazarave partiake dhe e duan Tetovën pa interes”.
“Duke u bazuar në parimet e qeverisjes së mirë, si transparenca, përgjegjësia dhe llogaridhënia, synojmë të ofrojmë zgjidhje konkrete për problemet e përditshme të tetovarëve dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së tyre. Mbi të gjitha, ne duam t’u japim qytetarëve fuqinë për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në vendimet që ndikojnë në jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre”, thonë nga iniciativa.
Bartës i listës së këshilltarëve të kësaj iniciative do të jetë Agron Arifi./Telegrafi/