Dalin dokumentet/ Mbledhja që vendosi 29 nëntorin si Festën e Çlirimit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ka ikur në 28 apo 29 nëntor gjermani i fundit? Edhe pas 30 vjetësh ndërrim sistemesh, shqiptarët ende nuk kanë rënë në një mendje për datën e saktë të Çlirimit të Shqipërisë. Këtij debati që rindizet çdo nëntor, në të vërtetë i prijnë vetë historianët, që ende nuk e kanë gjetur gjuhën mes tyre. E, megjithatë, më shumë se gjithçka tjetër flasin dokumentet, ato që kalojnë nëpër vite dhe na vijnë sot si dëshmi.

Historiania, prof. dr. Valentina Duka, na vë në dispozicion një sërë dokumentesh të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, periodikë të Luftës Nacionalçlirimtare apo edhe vepra të Enver Hoxhës. Dokumentet që na sjell në vëmendje historiania, flasin shumë. Ka qenë vetë Enver Hoxha që e ka deklaruar se 28 nëntori ishte dyfish një ditë e gëzuar, sepse në të njëjtën ditë shënohej si pavarësia, ashtu edhe çlirimi i vendit. Çlirimin e Shqipërisë në datën 28 nëntor e mbështesin edhe një sërë procesverbale mbledhjesh në vendin e sapoçliruar, ku diskutohej për çështje nga më të ndryshme, e ku saktësoheshin data; flitej për projektligje që kishin si kufi kohor ditën e çlirimit e që pa asnjë hezitim përmendej 28 nëntori. Por brenda një mbledhjeje të vetme, gjatë diskutimit të të kremteve kombëtare, vjen edhe ndryshimi.

Nisi si një propozim “naiv”, për të festuar si Ditën e Pavarësisë, ashtu edhe të Çlirimit. Kjo duket qartë në një mbledhje të 9 nëntorit 1945, ku askush nuk e dyshonte datën 28 nëntor, por me propozim të Ramadan Çitakut, sipas të cilit meqë Shqipëria ishte gdhirë e lirë në datën 29 nëntor, të shpallej ajo dita e festës, u hodh në votë dhe u miratua.

DOKUMENTET

Advertisement

“Dita e Flamurit u bë dita dy herë e shenjtë, dita e Çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar”, kështu është shprehur Enver Hoxha në fjalimin e tij triumfues të çlirimit të Shqipërisë. Ishte 28 nëntor 1944 dhe Buletini i Luftës Nacionalçlirimtare i dedikohej kësaj dite të madhe. Në faqen e parë gjejmë një fotografi të komandantit Enver Hoxha dhe një të burrit të urtë të Pavarësisë, Ismail Qemalit. Ky numër hapet me editorialin me titull “Populli shqiptar feston ditën e 28 nëntorit”.

Ndër të tjera, në të thuhet se: “Festa e Flamurit këtë vit ka një ndryshim rrënjësor nga ajo e vitit 1912. Sot e festojmë këtë ditë me një Shqipëri të Lirë me të vërtetë: pa tregtarë të politikës me një Ushtëri t’onë lavdiplote, që është një forcë sigurimi për ta ruajtur në çdo kohë këtë independencë. Populli shqiptar e feston këtë ditë i lumtur se e sheh vehten e tij të bashkuar, të fortë e t’organizuar, me një font të përbashkët NacionalÇlirimtar, me një Qeveri të tij Demokratike, frut i përpjekjeve dhe i luftërave të përgjakshme kundëra okupatorëve të fortë e barbarë dhe të gjithë tradhëtarëve të Atdheut, që me çdo mënyrë u munduan ta përçanin dhe ta bënin vegël të dëshirave të tyre”.

Në të njëjtin numër botohet në vijim fjala e “GjeneralKolonel”, Enver Hoxhës, i cili thekson më tej rëndësinë e datës 28 nëntor, e cila përkon me pavarësinë e vendit. Në këtë shkrim të gjatë veçojmë: “Pas kaq luftërash heroike kundër fashizmit, flamuri i kuq i Vlorës i lyer me gjakun e heronjve të popullit të rënë në këtë luftë antifashiste valon sot krenar në qiellin e Shqipërisë së Lirë… Dita e Flamurit u bë dita dy herë e shenjtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar”.

Ky fjalim është përfshirë edhe në Vëllimin 2 të Veprave të Enver Hoxhës, botime të Institutit të Studimeve marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së. Çuditërisht, Enver Hoxha apo redaktorët e tij nuk e kanë “censuruar” këtë pjesë të fjalimit, duke na e lënë si dëshmi në ditët tona. Vetë diktatori e pohonte me gojën e tij se Shqipëria ishte çliruar në 28 nëntor.

DITA E ÇLIRIMIT TË TIRANËS APO SHKODRËS

Advertisement

Në vitet e para të pasçlirimit nuk diskutohej nëse ishte 28 apo 29 dita e çlirimit, por nëse do të festohej Dita e Çlirimit të Tiranës, si kryeqytet i vendit apo ajo e Shkodrës, që përkonte edhe me çlirimin e gjithë Shqipërisë, apo largimin e “gjermanit të fundit” nga Shqipëria. Pra, debati zhvillohej mes datave 17 dhe 28 nëntor. Këtë fakt na e sjellin disa dokumente që datojnë në vitin 1945. Bëhet fjalë për procesverbalin e diskutimit të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (Mbledhja 14, Seanca 1/ AQSH: F. 498, viti 1945, D. 108) mbi projektligjin mbi amnistinë dhe faljen për faje ordinere, të kryera deri në çlirimin e Shqipërisë. Pikërisht gjatë kësaj mbledhjeje është zhvilluar një diskutim mes pjesëmarrësve Manol Konomi, Gjergj Kokoshi, Spiro Koleka, Tuk Jakova etj., mbi datën e çlirimit, e cila duhej saktësuar në projektligj. Diskutimi qartësisht bëhej mbi datat 17 nëntor, kur u çlirua Tirana apo 28 nëntor kur u çlirua Shkodra.

Sipas Tuk Jakovës “kur shkoi okupatori prej Shkodre nuk ngeli më ushtëri e huaj në ndonjë vënd të Shqipërisë, prandaj duhet të bëhet 28 Nëntor 1944”, propozim ky që u pranua nga pjesëmarrësit. Dhe në Nenin 1 të Projektligjit në fjalë saktësohet se: “Amnistohen të gjitha fajet ordinere të kryera deri edhe në ditën 28 Nëntor 1944, për të cilat ligji parasheh një ndëshkim me burgim të rëndë ose burgim, që në maksimum nuk kalon të gjashtë vjetët, ose një ndëshkim gjobor, të bashkuar ose jo me ndëshkimet e sipërtreguara. Përjashtohen fajet financiare, për të cilat zbatohet neni 4 i kësaj ligje.

SI NDRYSHOI DITA E ÇLIRIMIT

Nga të gjitha diskutimet e deriatëhershme nuk kishte asnjë dyshim që çlirimi i Shqipërisë kishte ndodhur në 28 nëntor të vitit 1944 dhe ishte një rastësi e bukur që ajo përkonte me Ditën e Pavarësisë, shpallur në të njëjtën datë në vitin 1912. Por diskutimi u ringjall në përcaktimin e festive kombëtare. Nga procesverbalet e mbledhjeve të arritura deri më sot nuk jepet ndonjë arsye pse nuk u pranua që Dita e Pavarësisë të ishte edhe e Çlirimit, veçse mendimi nga 28 në 29 ndërroi brenda së njëjtës mbledhje.

Në seancën e pestë të mbledhjes së 14-ë të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, mbajtur në 9 nëntor 1945, nën kryesinë e Dr. Omer Nishanit, në rendin e ditës parashikohej diskutimi mbi projektligjin “mbi të kremtet zyrtare”. Ndër diskutantët u hodh edhe ideja e kremtimit të kësaj dite, në 9 Maj, e cila njihet edhe si Dita Europiane e fitores ndaj nazi-fashizmit, por nuk u ra dakord. Gjatë këtij takimi Bedri Spahiu propozoi që data 28 nëntor të festohej edhe si dita e Pavarësisë edhe si dita e Çlirimit. Ai u shpreh se: “Dita e 28 Nëntorit koincidoi me çlirimin e Shqipërisë, d.m.th, me rënien e Shkodrës, prandaj proponoj që emërtimi i festës së 29 Nëntorit të bëhet ‘Ditë e Indipendencës dhe e çlirimit të Shqipërisë’”. Propozimi u hodh në votë, por nuk u pranua.

Advertisement

Më tej në fjalën e tij, Ramadan Çitaku u shpreh: “Është harruar të vihet dita e Çlirimit të Shqipërisë. Është vënë Dita e Konferencës së Pezës që mori formë Lufta NÇ., është vënë dita e Kongresit të Përmetit ku lufta merr formë më të gjerë, edhe ish e drejtë të viheshin dhe të festohen këto ditë, por është harruar, si thashë, Dita e Çlirimit, dita e përfundimit të Luftës së madhe që bëri populli shqiptar.

Këtë ditë duhet ta kujtojë populli dhe ta festojë brez pas brezi, të mbetet si një ditë historike. Dita e 28 Nëntorit 1912 është e drejtë të festohet, por edhe kjo e Luftës së dytë, Luftës së madhe duhet të shtohet (përkrahet). Vetëm është çështja e datës. Me sa di unë, pas mesnatës së 28 Nëntorit 1944, armiku qe çdukur nga e gjithë Shqipëria, d.m.th., dita e 29 Nëntorit u gdhi duke qenë Shqipnija e çliruar. Prandaj proponoj që dita e 29 Nëntorit të shtohet në ditën e festive kombëtare. Ne kemi vënë ditën e mbarimit të luftës së përbotshme e të mos vënë ditën e çlirimit të Shqipërisë, më duket do të ishte gabim”

Ky propozim gjeti mbështetje në shumë prej pjesëmarrësve në atë mbledhje. Në procesverbalin e mbledhjes shkruhet se “SH.DR. Ymer Dishnica e Qiriako Harito janë të mendimit të shtohet dhe dita e 29 Nëntorit si festë kombëtare, sepse kjo është dita e fitores së madhe të popullit shqiptar.

Sh. Gjergj Kokoshi kërkon të jetë vetëm dita e 9 majit, masi lufta ishte e përbashkët dhe dita e çlirimit të jetë e përbashkët.

Advertisement

Sh. Spiro Moisiu, duke u bashkuar me propozimin e sh. Ramadan Çitaku, shton se përveç që dita 29 është ditë e çlirimit të Shqipërisë, po është edhe dita që popullit iu sigurua regjimi i tij.

Sh. Myslym Peza vë në dukje se kur u çlirua Shqipëria më 28 nëntor 1912, nuk ka luftuar kurrkush, kurse për çlirimin e kësaj radhe populli lëftojë gjshtë vjet rresht, prandaj kjo ditë ka rëndësi më të madhe

Sh. Ramadan Çitaku, duke treguar dhe një herë historinë e çlirimit të Shkodrës më 29 nëntor, insiston të pranohet si festë kombëtare.

Sh. Koço Tashko kërkon pranimin e propozimit të Sh.R. Çitaku dhe duke u bashkuar me mendimin e Sh. Myslym Peza për sa i përket rëndësisë së ditës së çlirimit të Shqipërisë, vë në dukje se për herë të parë Shqipëria u çlirua në bazë të Luftës t’onë, kurse më 1912 fitoi indipendencën në bazë të marrëveshjeve diplomatike”.

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2020 Struga.info | Privacy policy