Tingujt klasik të kompozitorit gjerman Beethoven marrin jetë në Tiranë në një koncert instrumental simfonik.
Koncerti me piano, violinë dhe violonçel “Beethhoven Celebration”, bën bashkë në skenë orkestrën e teatrit të operës dhe baletin nën dirigjimin e maesro Jacobo Sipari. Koncerti është perceptuar si homazh i muzikës së Beethoven me interpretimin e simfonisë së 7.
“Është një program vetëm Beethovenian, i cili vjen këtë fillim prilli ku do të ekzekutohen koncerti tripël i Beethovenit si dhe simfonia e 7 e tij e cilësuar si maja e krijimtarisë së tij”, thotë pianistja, Etrita Ibrahimi.
Për herë të parë në skenë ngjitet edhe drejtoresha e këtij institucioni, por këtë herë si violiniste.
“E vërteta është që unë nuk kam bërë asnjë koncert me orkestrën që kur jam bërë drejtor i përgjithshëm por këtë herë doja të isha pjesë me orkestrën e të shkrihesha me ta”, thotë drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina.
Violonçeli i është besuar 21-vjeçarit italian Ettore Pagano.
“Kjo është një nga eksperiencat e para, sepse sapo kam mbaruar shkollën dhe kam filluar të praktikoj në shtete jashtë Italisë. Është një eksperiencë e veçantë, siç është dhe ky koncert. pasi kjo është një marrëveshje që kam bërë me veten duke ditur që në këtë moshë që jam unë është e vështirë ne të kalosh çdo moment duke u praktikuar dhe duke u përpjekur për t’u përmirësuar. Por këto janë qëllimet e mia dhe ky koncert është një sfidë”, thotë Ettore Pagano, violinçelist.
Koncerti simfonik “Beethhoven Celebration”, do të mbahet në mbrëmjen e 2 prillit në skenën e Teatrit kombëtar të Operës dhe Baletit./Vizionplus.tv.