“Ukraina, një krim lufte”, ekspozitë me 360 fotografi mbi pasojat e agresionit rus

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“Ukraina, një krim lufte”, ekspozitë me 360 fotografi mbi pasojat e agresionit rus

Drithërimat e luftës që ende vijon, janë përjetësuar në objektivin e aparatit fotografik për të sjellë dëshmitë rrënqethëse të asaj që shkaktoi pushtimi rus në Ukrainë.

Kështu ka mbërritur në Tiranë ekspozita “Ukraina, një krim lufte”, marrë nga libri me të njëjtin titull, ku janë grumbulluar 360 fotografi dhe 30 dëshmi nga fotoreporterët, në vitin e parë të luftës në Ukrainë.

Svetlana Baçevanova, botuese e librit dhe kuratore e kësaj ekspozite, e vlerëson punën e bërë si një shfaqje në të gjitha dimensionet të realitetit të dhimbshëm.

“Ne bëmë një thirrje të hapur dhe arritëm të mbledhim 6 mijë fotografi nga 120 fotoreporterë që dokumentuan luftën, ata vinin nga 29 vende të ndryshme të botës. Pas një pune përzgjedhëse vendosëm që në libër të përfshihen 360 foto dhe 30 dëshmi ndërsa në ekspozitë ju do të mund të shihni 50 të tilla. Kjo ishte e nevojëshme për të treguar me prova se çfarë mund të bëjë regjimi rus e që populli i Ukrainës e ka përjetuar terrorin katërcipërisht”, tha Svetlana Bachevanova.

Advertisement

Kristofer Oçhicone, ka shfaqur punën e tij në disa media botërore prestigjoze ndërsa në kryeqytetin shqiptar sjell një rrëfim të fortë mbi atë që ka parë gjatë luftës.

“Në serinë e lajmeve që vijnë nga lufta, mund të ndodhë që të humbasësh histori të caktuara por kur i shikon të përmbledhura atëherë e kupton shkallën e vërtetë të krimit dhe terrorit. Varret masive në Buça, fëmijët, gratë dhe të moshuarit në spitale, trupat e pajetë mbetur rrugëve dhe gjurma e vdekjes që mbizotëronte kudo..doja të ishte një makth që të zgjohesha shpejt por jo, dukej si një ëndërr që nuk do të mbaronte kurrë”, tha Oçhicone.

Ekspozita “Ukraina, një krim lufte”, do të qëndrojë e hapur nga data 22 shkurt deri më 23 mars në Qëndrën për Hapje dhe Dialog, pranë kryeministrisë./vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy