
Një 25-vjeçar në Greqi ka alarmuar policinë në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure. I riu kishte njoftuar në rrjetin social Instagram se do të vriste veten. Një mik i tij pa postimin e tij dhe lajmëroi menjëherë policinë, duke iu shpjeguar gjithë situatën. Punonjësi i policisë në detyrë pasi ka parë postimin ka gjetur detajet e 25-vjeçarit, e ka telefonuar duke sinjalizuar edhe efektivët e uniformuar në patrullë.
Mediat greke shkruajnë se 25-vjeçari iu përgjigj thirrjes së tij dhe dukej në një gjendje konfuzioni dhe dëshpërimi. Polici e kapi bisedën dhe e gjeti duke ecur në qendër të qytetit. Pasi e kuptoi se ku ndodhej i riu, lajmëroi policët që ishin në patrullë.
Gjysmë ore më vonë, 25-vjeçari u gjet dhe u shoqërua nga efektivët e policisë, ku aktualisht ai po trajtohet në një klinikë psikologjike.