350 xhihadistë të kthyer në Gjermani

Pinterest LinkedIn Tumblr +
350 xhihadistë të kthyer në Gjermani

Kthimi në Gjermani i islamistëve shihet si një rrezik i madh sigurie nga autoritetet gjermane, sepse ata kanë përvojë në luftime dhe e përçmojnë thellë mënyrën perëndimore të jetesës.

Një zëdhënëse e Zyrës Federale të Kriminalistikës është shprehur për gazetën e Dyseldorfit, „Rheinische Post”, se nga Siria dhe Iraku janë kthyer rreth 350 islamistë në Gjermani, 90 prej tyre vetëm në landin më të populluar gjerman, Renani-Veriore Vestfali. Sipas zëdhënëses „ka të dhëna se më shumë se 100 të kthyer ka qenë aktivë në luftime në Siri apo Irak dhe për këtë kanë kryer edhe trajnime.”

Kthimi në Gjermani i islamistëve shihet si një rrezik i madh sigurie. Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të landit të Renanisë-Veriore Vestfalisë tha se të kthyerit në shumë raste përbëjnë një rrezik të ndjeshëm, sepse ata janë mësuar të përdorin armët dhe kanë përvojë luftimi. „Edhe për shkak se ata e kanë përvetësuar ideologjinë xhihadiste të dhunshme dhe sepse e përçmojnë thellë mënyrën tonë të jetesës”, shkruan agjencia e lajmeve, kna.

Terrorizmi: Afër 150 procedura hetimore

Advertisement

Autoriteti gjerman i Mbrojtjes Kushtetuese ka bërë të ditur, se rreth 110 persona të lidhur me këtë land janë ende në territoret e kontrolluara nga i ashtuquajturi „Shteti Islamik”, dhe mund të rikthehen. „Prej tyre ndodhen rreth 50 vetë në Siri, Irak,Turqi në kampe apo burgje.” Sipas Mbrojtjes Kushtetuese shumë islamiste gjermanë janë vrarë në luftime. „Ka të dhëna, se më shumë se 260 persona në Siri dhe Irak janë vrarë; nga këta të vdekur afër 80 prej tyre kategorizoheshin si të rrezikshëm”, ka thënë zëdhënësja e Zyrës Federale të Kriminalistikës, BKA.

Ndërkohë sipas rrjetit redaksional gjerman, RND kanë filluar vetëm në gjysmën e parë të vitit 2020 149 procedura hetimore për terrrorizëm islamist, bën të ditur prokuroria gjermane, të cilat pasohen nga hapa të tjerë ligjorë. Arsyeja kryesore ka qenë dyshimi për anëtarësi në një organizatë terroriste./DW

350 xhihadistë të kthyer në Gjermani shkruan Vizion Plus.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy