
Kriza e rëndë që ka prekur Afganistanin ishte në qendër të punimeve të takimit të liderëve të G7-ës. Udhëheqësit e 7 ekonomive më të mëdha të botës i kërkuan talebanëve që të lejonin njerëzit të largohen nga vendi edhe pas afatit të fundit më 31 gusht.
Këtë e konfirmoi kryeministri Britanik, Boris Johsnon, pas takimit virtual të Liderëve të G7-ës, duke thënë se është kushti I parë i vendosur për talebanët. Gjithashtu shprehu gatishmërinë e vendeve perëndimore për negociata me qeverinë e re që mund të formohet në Afganistan.
“Do të vijojmë evakuimet deri në momentet e fundit”, u shpreh Johnson, duke pranuar situatën e rëndë në aeroportin e Kabulit.
Gjithashtu bëri thirrje që të vijohet me respektimin e të drejtave të njeriut dhe kërkoi nga talebanët të lejojnë shkollimin e vajzave. Ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha se BE do të vazhdojë të promovojë demokracinë dhe të drejtat e njeriut përtej largimeve të misioneve ushtarake në Afganistan. Ndërkohë, më herët, Bashkimi Europian bëri me dije se do të rrisë buxhetin në ndihmë të Afganistanit deri në 200 milionë euro.