ANALIZA: Lufta me dy fronte e Joe Biden për demokracinë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: Lufta me dy fronte e Joe Biden për demokracinë

Nga Gideon Rachman “Financial Times

Libri “A jemi ne Roma e radhës?” i Cullen Murphy u botua në SHBA në vitin 2007, duke trajtuar shqetësimin se Amerika ishte një perandori në rënie. Sot, pyetja më në modë në Uashington është “A jemi si Republika e Vajmarit?”. Pra a është Amerika, si Gjermania e viteve 1920, një demokraci në rënie përfundimtare?

Këto frikëra – nga Roma dhe Vajmarit – janë të ndërlidhura midis tyre. Dobësitë e brendshme dhe të jashtme ushqehen nga njëra -tjetra. Tregimet konvencionale të rënies së Romës, e vënë theksin tek barbarët në kufijtë e perandorisë, dhe kalbjen në qendër të saj.

Joe Biden beson me siguri se po zhvillon një luftë me dy fronte për demokracinë. Në SHBA, presidenti amerikan përballet me kërcënimin e një Partie Republikane që është ende mbështetëse e flaktë e Donald Trump, presidenti i parë në historinë e vendit që refuzoi ta pranojë humbjen në zgjedhje.

Jashtë vendit, ai përballet me sfidën e një Kine në rritje – të cilën Biden e ka përshtatur si pjesë të një lufte më të madhe midis demokracisë dhe autokracisë, e cila do të diktojë edhe ngjarjet e shekullit XXI. Në teori, këto dy beteja janë plotësuese të njëra-tjetrës.

Advertisement

Një Amerikë e qëndrueshme dhe e sigurt, është e mirë-pozicionuar për ta “bërë botën të sigurt për demokracinë”, siç tha dikur Woodrow Wilson. Përkundrazi, një botë në të cilën autoritarizmi është në rritje, mund të helmojë atmosferën e brendshme politike në SHBA.

Për këtë mjafton të shohësh magjepsjen aktuale të së djathtës amerikane nga Hungaria e Victor Orban. Por në praktikë, të dyja betejat për demokracinë krijojnë presione kontradiktore ndaj njëra-tjetrës.

Situata e brendshme e Biden, do të thotë se ai po zhvillon betejën globale për demokracinë me njërën dorë të lidhur pas shpinës. Ekipi i presidentit aktual, e di shumë mirë se nuk ka kuptim që të fitohet lufta në Taipei apo Kabul nëse e humb atë në Uashington. Pra, lufta për demokracinë në SHBA duhet të jetë në plan të parë.

Biden ka premtuar një “politikë të jashtme për klasën e mesme”- gjë që do të thotë se çdo vendim që ai merr, mbi politikën e jashtme apo të brendshme, do të përqendrohet tek votuesit amerikanë të shtresës së mesme.

Advertisement

Por ky plan shkon përtej motivimit normal të një partie politike për të mbajtur pushtetin. Demokratët kanë shumë frikë se një presidencë e dytë e Donald Trump do të ishte haptazi autoritare, dhe se edhe një garë shumë e ngushtë, do t’u jepte republikanëve mundësinë që ata të përpiqen ta përmbysin rezultatin.

Nga ana tjetër, kjo mund ta ndajë vendin në enklava “të kuqe” dhe “blu” ndërluftuese midis tyre. Emergjenca e betejës për demokracinë në vend, nënkupton se administrata e Joe Biden, është e penguar të ndërmarrë ato që në rrethana të tjera do të ishin lëvizje të dukshme në betejën për demokracinë jashtë shtetit.

Shembulli më i dukshëm i këtij kufizimi, është ngurrimi i Shtëpisë së Bardhë për të nënshkruar ndonjë marrëveshje të re të tregtisë së jashtme, në respekt të qasjes proteksioniste që krijoi Trump. Paraliza e Amerikës në fushën e tregtisë, po i jep një përparësi të madhe Kinës.

Ekspertët e politikës së jashtme të presidentit amerikan Biden, e dinë që ndikimi kinez nuk mund të kontrollohet vetëm nëpërmjet aeroplanmbajtëseve. Ata kanë frikë se pa një strategji ekonomike në Azi, SHBA-ja do ta humbasë në fund përballjen e saj të madhe me Kinën.

Advertisement

Një strategjia e qartë amerikane, do të ishte negocimi i një marrëveshjeje të re tregtare me aleatët aziatikë. Administrata e Barack Obamas e përfundoi një marrëveshje të tillë, Partneritetin e Trans-Paqësorit (TPP), por Trump u tërhoq nga ajo.

Por qasja proteksioniste në SHBA ishte tashmë aq e fortë – si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë – sa që edhe Hillary Clinton e kishte hedhur poshtë TPP-në gjatë fushatës presidenciale. Një pakt tregtar më i vogël u mbajt gjallë nga Japonia dhe të tjerët, dhe u ringjall si CPTPP.

Në një botë ideale, ekipi i politikës së jashtme së Joe Biden, do të donte t’i bashkohej kësaj të fundit. Por në praktikë, kjo lëvizje do të kishte rreziqe shumë të mëdha politike. Si për ironi në vend të SHBA-së, është Kina ajo që ka aplikuar tani për t’iu bashkuar CPTPP.

Politikë-bërësit në Uashington, mendojnë se aleatët aziatikë të Amerikës do të jenë në gjendje që ta bllokojnë anëtarësimin  e Pekinit për disa vjet. Për në fund, Kina do ta realizojë dëshirën e saj. Dhe një aleancë tregtare që në fillim ishte menduar të ishte një fortesë kundër Pekinit, do të shndërrohet në një vegël në shërbim të tij.

Advertisement

SHBA-ja po kërkon tani mjete të tjera ekonomike për të rritur ndikimin e saj në Azi. Një pakt mbi standardet e teknologjisë, duket potencialisht interesant. Po kështu edhe përpjekjet për të siguruar financime për projektet e infrastrukturës, si një alternativë ndaj Nismës së Brezit dhe Rrugës së Pekinit.

Por në fakt këto janë zgjidhjet e dyta më të mira. Vendimi i Biden për t’i dhënë fund luftës në Afganistan u nxit gjithashtu, në pjesën më të madhe, nga vendosmëria e tij për t’i vënë në plan të parë ndjenjat e Amerikës Qendrore mbi instinktet e politikës së jashtme të Uashingtonit.

Ajo kishte edhe një arsye gjeopolitik për atë tërheqje:largimi nga Afganistani do të çlironte burimet amerikane për t’u përqendruar tek Kina dhe Rusia. Që të dyja këto argumente kanë njëfarë peshe. Por triumfi i talebanëve, vështirë se mund të quhet si një fitore e demokracisë.

Dy javë kaos në Afganistan, i transmetuar gjerësisht në media, ishin gjithashtu një goditje e madhe për reputacionin e Biden në shtëpi. Ideja se Joe Biden është një i paaftë, po promovohet me forcë nga republikanët, të cilët gjithashtu po flasin edhe për dështimin e presidentit aktual për të kontrolluar migracionin ilegal në kufirin jugor të Amerikës, dhe për vështirësinë e administratës për të miratuar në Kongres paketën e saj të shpenzimeve të mëdha.

Advertisement

Një sondazh i fundit, vlerëson se Joe Biden pëlqehet tani nga vetëm 38 për qind e amerikanëve. Shtëpia e Bardhë po përpiqet të projektojë një imazh jashtë Amerikës të një Amerike të ringjallur, që nuk është as Roma dhe as Vajmari. Por në Uashingtonin e Joe Biden frika se presidenti mund të dështojë – dhe frika se çfarë do të thotë kjo për Amerikën – qëndron tani në sfondin e çdo lloj bisede. (abcnews.al)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy