ANALIZA: Ndërkombëtarët propozojnë ndalim të reklamave televizive gjatë fushatave zgjedhore

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: Ndërkombëtarët propozojnë ndalim të reklamave televizive gjatë fushatave zgjedhore

Në rekomandimet për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Këshilli i Europës dhe NDI Albania kërkojnë zvogëlim të shpenzimeve elektorale, transparencë të shtuar dhe ndalim ose kufizim të reklamave televizive gjatë fushatës elektorale.

Nga Vladimir Karaj

Në dy propozime të veçanta për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Këshilli i Europës dhe Instituti Demokratik Amerikan në Shqipëri, NDI, propozojnë shkurtim të shpenzimeve elektorale dhe rritje të kontrollit mbi financimin edhe shpenzimet e partive gjatë fushatave.

Propozimet e fokusuara kryesisht te rritja e transparencës së financimit të partive politike, kërkojnë që në ndryshimet legjislative të përfshihen ndër të tjera edhe një ndalim apo kufizim i reklamave të partive politike në media gjatë fushatës elektorale dhe vendosje në kontroll të shpenzimeve të tjera elektorale.

Advertisement

Sipas propozimeve të zyrës së NDI në Tiranë ligji duhet të përfshijë “ndalimin ose limitimin e reklamave të trasmetuara”. Ndërkohë një propozim i ngjashëm është dhënë edhe nga Këshilli i Europës – sipas raporteve që BIRN ka parë, duke këshilluar në ndalimin e reklamave televizive.

Reklama televizive e partive politike gjatë fushatave elektorale – gjysma e kohës së të cilës financohet nga para publike, është një prej zërave të shpenzimeve më të mëdha gjatë periudhës zgjedhore.

Sipas ekspertëve kufizimi i reklamave televizive gjatë fushatave elektorale do krijonte një fushë loje më të sheshtë midis subjekteve zgjedhore, ndërkohë që do t’i jepte më shumë peshë debateve televizive dhe përballjeve të drejtpërdrejta të kandidatëve, të cilat i kanë munguar elektoratit gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe ato vendore

Në zgjedhjet e vitit 2017 dy partitë më të mëdha në vend, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, deklaruan 62 milion lekë shpenzime elektorale, rreth 31 për qind e të cilave shkuan për reklama dhe transmetime live.

Advertisement

Ndalimi i reklamave çliron median

Ekspertet e KE dhe ato të NDI arsyetojnë se shkurtimi apo ndalimi i reklamave do të ulte menjëherë shpenzimet në fushatë dhe do të mundësonte një garë më të drejtë. Nga dokumentet që BIRN pa një ndalim i tillë është përfshirë tashmë në Ligjin për Partitë Politike, por ende nuk është vendosur në Kodin Zgjedhor.

Ngjashëm, ky ndalim do të mundësonte një mbulim më të ndershëm të fushatave elektorale nga media e cila, siç BIRN ka gjetur më herët ka vendosur në shitje veç kohës së reklamave dhe hapësirën editoriale.

Afrim Krasniqin, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike i tha BIRN se sugjerimi do të ofronte më shumë barazi zgjedhore dhe do të bllokonte po ashtu edhe trasmetimin e videokasetave të gatshme që partitë politike u dërgonjnë mediave gjatë fushatës.

Advertisement

“Sugjerimi për vendosje limiti në donacione, për heqjen e produkteve të gatshme, për kufizim të hapësirës së financimit informal, dhe sidomos për ndalim të reklamave në media, rrit mundësinë që të kemi më pak shpenzime elektorale dhe më shumë barazi zgjedhore”, tha Krasniqi.

Ngjashëm Aldo Merkoçi, drejtor i Lëvizjes Mjaft tha se ndalimi spoteve elektorale në TV do t’i mundësonte më shumë liri medias dhe po ashtu përmirësonte informacionin.

“Ndalimi i reklamave politike, do të sillte një vëmendje të shtuar ndaj debateve dhe përballjes së drejtpërdrejt të alternativave politike, dhe kjo sigurisht është shumë më e shëndetshme”, tha Merkoçi.

“Por mbi të gjitha do të ulte presionin direkt që partitë mund të ushtrojnë tek televizonet kombëtare apo edhe anasjelltas”, thekson Merkoçi.

Advertisement

Sipas tij fushatat e fundit kanë sjellë jo vetëm përplasje mes partive politike, por edhe mes partive e medias për shkak të marrëdhënies kontraktuale në të cilën futeshin prej reklamave.

Nga ana e tij Krasniqi vë në dukje se vetëm ndryshimet ligjore të reja nuk do jenë të mjaftueshme.

“Në kushtet e informalitetit ende të lartë, të disa mediave lokale në zotërimin privat të deputetëve, të mundësisë prej partive e kandidatëve për blerje të aksesit online të shërbimeve kryesore të internetit, si dhe hendekut midis deklarimeve formale të rregullta dhe mosdeklarimit real informal, zgjidhja e problemeve do të kërkojë shumë më tepër kohë dhe lidhet edhe me maturinë e vetë shtetit dhe demokratizimin e partive politike”, paralajmëroi ai.

Më pak shpenzime elektorale

Advertisement

Në propozimet për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Këshilli i Europës vë në dukje disa herë dosmodoshmërinë e ndalimit të reklamave televizive të partive. Ekspertët e KE argumentojnë se ky kufizim do të ndihmonte uljen e shpenzimeve gjatë fushatave elektorale.

Ekspertët rekomandojnë që partitë politike të marrin në konsideratë këtë kufizim edhe në përllogaritjen e limitit të shpenzimeve elektorale që pritet të përcaktohet në Kodin Zgjedhor për të vendosur nën kontroll edhe financimin e partive politike.

Në draftet që BIRN pa nga Këshilli i Europës sugjerohet se shpenzimet elektorale të kufizohen nga dhjetëfishi u fondeve publike që i jepen një partie në 2 apo 1.5 herë. Po ashtu si sugjerim është përfshirë edhe ndryshimi i formulës se si limiti maksimal llogaritet, duke e kufizuar atë me numrin e votuesve të rregjistruar dhe jo me fondet publike të marra, që do të krijonte një pabarazi mes partive që marrin më shumë fonde.

Nga ana e saj NDI, ndërsa vë në dukje se ulja e tavanit të shpenzimeve është pozitive, kërkon që kjo të jetë e studiuar më mirë. Në raport vihet në dukje se nuk kishte një studim te qartë mbi shpenzimet elektorale dhe krahasimisht me fondet publike që partitë marrin dhe kishte parti që kishin shpenzuar tre herë më shumë mbi limitin që mendohej të vendosej.

Advertisement

NDI shpjegon se kufizimi do duhej të vendosej bazuar mbi fakte dhe pa këto nuk do ishte e mundur të thuhej nëse limiti do mund të zbatohej.

“Nëse metoda e propozuar e llogaritjes së limitit të shpenzimeve rezulton me një limit shumë të lartë, do të ishte i pakuptimtë dhe nëse do të ishte e ulët do të sillte përpjekje për ta shmangur”, thuhet në propozimet e Institutit Demokratik Amerikan.

Përndryshe në rekomandimet e KE vihet në dukje se limiti i tanishëm i shpenzimeve dhe mënyrat e financimit të partive janë të tilla që, përkundër qëllimit të uljes së shpenzimeve i nxisin partitë të maksimizojnë sasinë e tyre.

Deklarimi i shpenzimeve dhe financimi

Advertisement

Ekspertët i lidhin kufizimet e shpenzimeve me kufizime të mëtejshme mbi mënyrën se si do të financohen partitë politike në vend. Nga sugjerimet lihet të kuptohet që vendi do të mbajë formën e përzier të financimit duke përfshirë paratë publike dhe ato të dhuruara, por në sugjerime këmbëngulet që këto të fundit të vijojnë të kufizohen, duke përjashtuar prej mundësisë për të dhuruar bizneset që kanë marrë apo garojnë për kontrata publike.

KE në sugjerimet e saj përfshin nevojën për përcaktim të kufijive të dhurimit edhe jashtë fushatës elektorale. Sipas sugjerimit një i tillë nuk ekziston dhe jashtë fushatës partitë janë të lira të marrin para edhe nga korporatat.

Ngjashmërisht në diskutim është formula se si do të ndahen fondet publike dhe raporti që ato do të kenë me fondet private.

Por të dy këshilluesit e jashtëm të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore këmbëngulin në institucione kontrolluese më të efektshme dhe me më shumë mundësi për të ndërhyrë apo penalizuar shkeljet nga partitë politike.

Advertisement

NDI ndër të tjera propozon parashikime më të qarta sa i përket kompetencave të këtyre institucioneve dhe po ashtu edhe forma të tjera të kontrollit ndaj abuzimeve, përfshi ngritjen pranë KQZ të një portali për të denoncuar abuzimet – qoftë të financave qoftë të administratës apo mjeteve publike gjatë fushatës.

NDI propozon që ndryshe nga sa është parashikuar në drafte, portali publik për denoncimet apo vlerësimi i veprimtarive publike në një përiudhë 4 mujore para zgjedhjeve të mbeten si rekorde publike.

Për Krasniqin, propozimet e reja, megjithëse e përmirësojnë legjislacionin ende lënë hapësirë për abuzim.

“Edhe ndryshimet e propozuara nuk sigurojnë respektimine plotë dhe integral të parimit të nenit 9 të Kushtetutës, për detyrimin për bërjen kurdoherë publike të financimit dhe shpenzimeve të partive, por është shumë i avancuar sesa kuadri aktual zgjedhor”, thotë ai.

Advertisement

Ndërkohë Merkoçi thotë se është i nevojshmë një institucion që mund të kontrollonte shpenzimet apo financimin e partive politike.

“Pra një njësi e ngjashme me KLSH apo ILDKPI, që ka fuqi dhe mekanizma investigues mbi shpenzimet reale të partive politike, duke përmendur këtu që një nga problemet më të mëdha me shpenzimet e partive politike në Shqipëri është paraja cash që shpenzohet në fushatë”, përfundoi ai.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy