
Nga David Miliband “New Statesman”
Ndryshimi i ekuilibrit të fuqisë ekonomike dhe politike në botë është gjeografik – me një zhvendosje nga Perëndimi në Lindje – por është gjithashtu edhe ideologjik. Kjo kthesë ideologjike e valës diktohet nga 2 faktorë:Së pari, autoritarizmi është në rritje dhe demokracia në tërheqje, dhe së dyti, pohimet e sovranitetit kombëtar po e sfidojnë gjithnjë e më shumë ligjin ndërkombëtar.
Sipas “Economist Intelligence Unit”, sot vetëm 8.4 për qind e qytetarëve të botës jetojnë në vende të klasifikuara si “plotësisht demokratike”. Projekti “Varietet e Demokracisë” i Universitetit të Goteborgut në Suedi, thotë se ne po përjetojmë një “vale të tretë të autokratizimit”, dhe ai paraqet të dhëna që e mbështetin këtë pretendim.
Ndërkohë, “Global Trends 2040”, raporti i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës në SHBA, thekson se “shteti ligjor” do të jetë i kërcënuar në marrëdhëniet ndërkombëtare deri në vitin 2040. Por sot ai është në tërheqje. Dhe këto dy tendenca e përforcojnë njëra-tjetrën.
Xhon Ikenberry, politolog dhe ekspert i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Prinstonit në SHBA, ka paraqitur shumë argumente bindës, sipas së cilave ndërtimi i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla pas vitit 1945, u konceptua si një mburojë kundër erozionit të demokracisë.
Pra sot ai që quhet “recesion demokratik”, po e minon rëndë ligjin dhe institucionet ndërkombëtare, dhe tërheqja nga parimet dhe idealet e një rendi të bazuar në rregulla, po minon edhe regjimin demokratik në shumë vende. Një nga këto parime ka qenë shumë i konsoliduar deri më sot, ndaj erozioni i tij është edhe më i rrezikshëm.
Ai ka të bëjë me të drejtat e civilëve (dhe punonjësve të ndihmës humanitarë) në zonat e konfliktit. Këto janë çështje të jetës dhe vdekjes. Konventat e Gjenevës dhe të OKB-së, janë shumë të qarta mbi të drejtat për jetën e civilëve të mbërthyer në mesin e një konflikti.
E drejta ndërkombëtare nuk mund të jetë më e qartë apo më universale në përcaktimin e detyrave të palëve në konflikt për të shmangur vrasjen e civilëve. Shqetësimi im, është se nëse jeta e civilëve nuk mund të mbrohet në zonat e konfliktit, ku Konventat e Gjenevës synojnë të kenë një ndikim suprem, atëherë çfarë shprese ka në lidhje me rastet më të vështira të të drejtave të njeriut, ku nuk ka zyrtarisht një konflikt, ku ligjet e luftës janë më pak të rëndësishme, dhe ku e drejta ndërkombëtare humanitare është më pak e zhvilluar?
Në këtë kuptim, rasti i humbjes së jetëve civile në një konflikt, është vetëm maja e ajsbergut të pandëshkueshmërisë. Megjithatë në zonat e konfliktit, mosndëshkimi po bëhet gjithnjë e më shumë një normë mëse e zakonshme. Më 7 tetor, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut votoi kundër ripërtëritjes së mandatit të Grupit të Ekspertëve të OKB-së në Jemen.
Kjo lëvizje përfaqëson një grusht shteti në favor të forcave të pandëshkueshmërisë. Grupi i Ekspertëve të Shquar, GEE, ishte i vetmi mekanizëm ndërkombëtar, i pavarur dhe i paanshëm që veproi në krizën më të madhe humanitare në botë (në Afganistan).
Civilët në Jemen, kanë qenë subjekt i bombardimeve të autobusëve të shkollave, sulmeve ndaj spitaleve dhe taktikave të ngjashme, teksa rrethimet kanë penguar importin e ushqimeve dhe ilaçeve që shpëtojnë jetën e njerëzve. Për ta, humbja e GEE është një dritë jeshile si për koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite, ashtu edhe për forcat rebele Huthi, për të ndjekur taktikat më brutale të mundshme në luftë.
Kjo gjë ka rëndësi përtej Jemenit, pasi është pjesë e një tendence globale. Sot ka një numër në rritje të viktimave civile të luftës. Mesatarisht 38.500 civilë vriten çdo vit në konflikte, më shumë sesa dyfishi i mesatares së 5 viteve vjet më parë, dhe 7 herë e gjysmë më shumë sesa mesatarja e vitit 2008.
Ka më shumë sulme mbi objektet shëndetësore:larg rënies për shkak të pandemisë globale, këto sulme vetëm sa janë shtuar, me më shumë punonjës të kujdesit shëndetësor të vrarë në vitin 2020 sesa në 2019-ën. Sot ka më shumë spastrime etnike, dhe më shumë vrasje të punonjësve të ndihmës humanitare.
Dhe akoma më shumë civilë po u ikin konflikteve të armatosura. Sot ka një numër rekord prej 79.5 milionë refugjatësh dhe njerëzish të zhvendosur në mbarë botën. Grupi i Ekspertëve të Shquar, e quajti një “pandemi të pandëshkueshmërisë” atë që po ndodh në Jemen.
Por duke parë situatën anembanë globit, ne gjendemi në atë që mund të përshkruhet vetëm si një epokë e pandëshkueshmërisë. Nga Siria në Jemen, Etiopi, Somali, Nigeri dhe Afganistan, aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë, po sillen sikur ligji të jetë vetëm për budallenjtë.
Megjithëse konflikti ndërshtetëror është i rrallë, konflikti i ndërkombëtarizuar ndërshtetëror (ku të paktën njëra palë merr mbështetje direkte nga qeveritë e tjera, që marrin pjesë aktive në konflikt) është përhapur në dekadën e fundit, me rreth 30 konflikte aktive të këtij lloji.
Rritja e pandëshkueshmërisë është e lidhur ngushtë me ndërkombëtarizimin në rritje të konflikteve civile. Më shumë palë në një konflikt, kanë çuar në më shumë shkelje të ligjit ndërkombëtar, për shembull sulmet me raketa ndaj ambulancave në Siri, rrëmbimi i fëmijëve të shkollave në Nigeri, vrasjet e punonjësve humanitarë në Etiopi nga shtetet si dhe aktorët jo-shtetërorë, shumë prej të cilëve kanë furnizues të huaj të armëve dhe burimeve të tjera.
15 vitet e fundit kanë sjellë një ndryshim të rëndësishëm nga angazhimi i vitit 2005 tek “përgjegjësia për të mbrojtur”, që përfaqësonte kulmin e angazhimit global për llogaridhënie. Në të gjitha diskutimet mbi konkurrencën e Fuqive të Mëdha gjatë dekadës së ardhshme, dhe në zemër të rivalitetit SHBA-Kinë, ekziston rreziku i mungesës së një gare kritike paralele, së llogaridhënies, e cila është e mundimshme, e ngadaltë dhe shpesh e nuancuar, dhe i mosndëshkimit, që është falas dhe i shpejtë.
Do të jetë një betejë e vështirë. E vetmja rrugë kthimi nga kjo rrugë, është një përpjekje e bashkërenduar për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë, me një ripohim të asaj që John Kenneth Galbraith e quajti në vitin 1952 një “fuqi kundërbalancuese”.
Ideja e fuqisë kundërbalancuese, është e thjeshtë: aty ku pandëshkueshmëria shkaktohet nga çekuilibri i pushtetit në interes të të fuqishmëve, rivendosja e ekuilibrit merr fuqi kundërbalancuese. Aty ku mosndëshkimi lulëzon në fshehtësi, llogaridhënia kërkon transparencë.
Aty ku mosndëshkimi i quan hetimet “ndërhyrje të huaja”, fuqia kundërbalancuese këmbëngul tek faktet. Aty ku mosndëshkimi i jep fund ç’ekuilibrave të pushtetit, fuqia kundërbalancuese kërkon ta korrigjojë ekuilibrin e prishur.
Sfida për vendet që shqetësohen për rritjen e pandëshkueshmërisë, është që më së pari të sigurohen që veprimet e tyre të jenë në përputhje me standardet e llogaridhënies, qoftë në vend, për shembull nëpërmjet besnikërisë ndaj ligjit ndërkombëtar, apo jashtë vendit, për shembull nëpërmjet hetimeve të pavarura ndaj shkeljeve të supozuara të ligjit.
Së dyti, ata duhet të bashkohen për të rritur koston politike, ekonomik dhe ligjore të pandëshkueshmërisë. Organizatat rajonale dhe të specializuara si OSBE duhet të marrin përsipër detyrën e hetimit të pavarur, raportimit dhe caktimit të fajtorëve për abuzimet.
Më pas duhet të mobilizohen mjetet ligjore. Veprimet e qeverisë gjermane në mbështetjen e ndjekjeve penale në gjykatat gjermane të sirianëve të akuzuar për krime lufte, duke përdorur parimet e juridiksionit universal, janë një paralajmërim i fortë se shtrirja e drejtësisë mund të jetë globale.
Ndëshkimi ekonomik ka gjithashtu rëndësinë e tij, si për shembull në formën e sanksioneve të modelit Magnitsky, duke goditur ata që janë përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut apo korrupsionin. Dhe nëse prodhuesit e armëve dhe financuesit e tyre, nuk duan që produktet e tyre të përdoren për të vrarë civilë, atëherë duhet të mbështesin kontrolle shumë më të ashpra mbi eksportin e armëve.
“Konkurrenca e fuqisë së madhe”, nuk duhet të nënkuptojë shkeljen e gjithë parimeve. Do të jenë konflikte të tilla si Jemeni, Siria dhe Etiopia, aty ku do të fitohet ose humbet beteja për llogaridhënie. Dhe strategjia dhe taktikat për këtë betejë, duhet të vendosen pikërisht në takime të tilla si G7, dhe “Samiti për Demokracinë”, i propozuar nga presidenti amerikan Joe Biden.