ANALIZA/ Pse ngritja e Kinës nuk përbën një problem për Perëndimin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA/ Pse ngritja e Kinës nuk përbën një problem për Perëndimin

Nga Joergen Oerstroem Moeller, National Interest

Kina po klasifikohet gjithnjë e më shumë si një kërcënim ndaj rendit botëror të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, dhe si një lloj përbindëshi që kultivon përherë modele të liga. Ky imazh hedh dritë mbi problemet e brendshme të Kinës që nga lufta e saj për bashkimin kombëtar në vitin 221 Para Krishtit, për të arritur paqen, prosperitetin dhe harmoninë.

Por përfituesit e deklaratave të tilla politike janë popullsia kineze, dhe jo Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Formulimet dhe fjalori zgjidhen enkas për këtë qëllim. Kjo qasje është sino-centrike, dhe nuk përfshin asnjë traditë që ka lidhje me imperializmin e fuqive perëndimore gjatë 500 viteve të fundit.

Duka i Uellingtonit pyeste gjithnjë veten se çfarë ishte “në anën tjetër të kodrës”. Në vitin 1946 George Kennan shkroi për Uashingtonin “Telegramin e gjatë”, të cilin më vonë e zgjeroi në një editorial të botuar nga “Foreign Affairs” në vitin 1947 nën titullin “Burimet e sjelljes së sovjetikëve”.

Advertisement

Këta dy burra të mëdhenj vepruan me shumë zgjuarsi, duke u përpjekur të kuptonin se çfarë po mendonin dhe planifikonin kundërshtarët, nëse ata përbëjnë ndonjë kërcënim, dhe nëse po, si duhet kundërpërgjigjur. Historia e Kinës rrotullohet rreth një vargu dinastish, me perandorin si “birin” e Parajsës.

Ata u ngjitën në pushtet duke i dhënë fund kaosit, duke nisur përparimin ekonomik, dhe duke siguruar meritokracinë përmes sistemit të veçantë mandarin. Me kalimin e kohës, vendi u zhyt në mediokritet dhe nepotizëm, me një elitë vetë-shërbyese që jetonte në oborrin perandorak, dhe që nuk merakosej për jetesën e fshatarëve, të cilët u kthyen kundër dinastisë.

Tashmë ishte e qartë se perandori i kishte humbur bekimet e tij. Dinastia e tij ishte braktisur nga Zoti. Kështu iu hap dera dinastisë tjetër. Ky ritëm diktoi edhe historinë e Kinës. Një mendësi që e ka origjinën mijëra vjet më parë, nuk mund të zhduket brenda natës.

Partia Komuniste Kineze (PKK) është dinastia aktuale, dhe është plotësisht e vetëdijshme për “portën rrotulluese” të historisë. Çdo lloj ndërhyrje nga jashtë, sado e pafajshme që mund të duket në sytë e Perëndimit, gjykohet nga ndikimi që ajo ka në stabilitetin e këtij vendit.

Advertisement

Trazirat sociale nuk duhet të lejohen që t’i shkaktojnë PKK,atë që ato i bënë secilës prej dinastive të mëparshme. Rezultati është një mbyllje brenda vetes. Politika renditet në krye

Të çdo lloj konsiderate tjetër, përfshirë ekonominë. PKK e ka analizuar mirë rënien e Bashkimit Sovjetik dhe copëtimin e Partisë Komuniste Sovjetike për të parandaluar diçka të ngjashme.

Me sa duket, përfundimi që është nxjerrë është forcimi i pozitave të partisë dhe ndalimi i çdo lloj pasigurie në lidhje me të drejtën e saj për të qeverisur Kinën në bazë të motos “Ne e dimë më së miri këtë”.Modeli politik perëndimor, cilësohet si krejtësisht i papërshtatshëm për Kinën.

Për më tepër, PKK nuk ka ambicie për ta eksportuar jashtë modelin kinez. Ajo nuk e sheh veten si lajmëtare të një sistemi të ri social dhe politik që është i destinuar të pushtojë botën, siç bëri dikur Bashkimi Sovjetik. Marksizëm-Leninizmi konsiderohej si një instrument i përshtatshëm për ta zgjuar vendin pas 200 vjetësh letargji.

Advertisement

Por në thelb, PKK kërkon një model kinez që justifikon rolin e tij si “biri” i Parajsës. Për të hyrë në këtë rol, ajo po investon shumë në3 fusha:mjedis, rritjen e standardit të jetesës, dhe një sistem më të mirë të transportit. Që të tria synojnë zgjidhjen e problemeve që e kanë përndjekur vendin gjatë historisë së tij.

Kjo gjë e bën kundërshtimin një rrezik të largët. Kina varej në thelb nga 2 sisteme lumore: Huang Ho në veri dhe Jance në jug. Lumenjtë bartin me vete llum, duke e bërë pjellore pjesën e poshtme të tyre. Ata janë shumë të vështirë për t’u mbajtur nën kontroll dhe thuajse vazhdimisht përmbysin pjesë të fshatrave, shpesh me pasoja shkatërruese siç është uria.

Dhe kur pllakoste uria, perandori i kishte humbur bekimet e tij, dhe fundi i dinastisë ishte në prag. Ndaj, përpjekja e vendosur e PKK për të luftuar ndotjen mjedisore dhe ndryshimin e klimës, është e natyrshme për çdo dinasti kineze, pasi përputhet me përpjekjet e sundimtarëve gjatë mijëra vjetëve për të zbutur sistemet lumore.

Familja ishte themeli i jetës kineze, dhe ishte pozicionuar kryesisht në fshatra. Nëse diçka e shqetësonte këtë mënyrë jetese, atëherë përgjegjës cilësohej dinastia apo perandori, dhe fshatarët rebeloheshin. Aktualisht po zbatohen plane të mëdha për të futur teknologjinë moderne dhe rritur prodhimin, duke garantuar një standard më të mirë të jetesës.

Advertisement

Në kushtet kur ka një rënie të fuqisë punëtore, prodhimi më i madh kërkon një produktivitet

më të lartë. Kjo është një lojë me shumë rreziqe, pasi ndonëse teknologjia do të rrisë produktivitetin, është e pasigurt nëse ajo mund të ofrojë një nxitje të mjaftueshme. Nëse jo, atëherë PKK do jetë në telashe.

Politika e jashtme e Kinës është një derivat i politikave të brendshme. Në historinë e saj të gjatë, Kina ka qenë vazhdimisht viktimë e agresioneve nga jashtë, nga kufiri i saj verior dhe nga deti, teksa në të njëjtën kohë është përballur me trazira të brendshme. Në periudhat midis, ajo ka gëzuar periudha paqeje dhe prosperiteti, duke kultivuar një kulturë dhe civilizim të pakrahasueshëm.

Por një magji tjetër e paqes dhe prosperitetit është ambicia. Kërcënimet ushtarake nga jashtë, kanë potencialin e prishjes së kësaj ambicie. Për të parandaluar këtë rrezik, Kina ka synuar të ndërtojë një zonë për ta mbrojtur atë nga agresorët e mundshëm (një kordon sanitar).

Advertisement

Në sytë e kinezëve rreziku është real. Ushtria amerikane është e pranishme pranë kufijve të Kinës. Anijet e saj luftarake lundrojnë nëpër Detin e Kinës Jugore. Avionët spiunë fluturojnë pranë kufijve të saj. Prania ushtarake e Kinës është e kufizuar në territorin e saj. Është e vështirë të gjesh shumë dëshmi të ambicieve të saj për të projektuar fuqinë e vet në një nivel global.

Popullsia e madhe e Kinës dhe rritja fenomenale ekonomike janë sfida të mëdha. Por Kina ka nevojë për burime që janë të kufizuara në territorin kinez. Ajo ka nevojë për energji, teksa nuk mund të ushqejë popullsinë e vet. Qasja e Kinës në ekonominë globale është jetike për ta ruajtur rritjen e saj ekonomike.

Asnjë vend tjetër i madh në botë nuk përballet me një situatë të ngjashme me Kinën. Lufta e përhershme e Kinës për të kapërcyer fatkeqësitë natyrore dhe mungesat e saj, është çelësi për të kuptuar politikat e Pekinit. PKK po vepron si çdo dinasti tjetër. Ajo po përpiqet të sigurojë qëndrimin e saj në pushtet, mbijetesën e saj.

Kjo kërkon qasje në ekonominë globale dhe burimet jashtë vendit. Çdo krahasim midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës është i tepruar. Politikat e frenimit nuk do të funksionojë. Në vend të kësaj, rregullimi dhe përshtatja e sistemit global sipas madhësisë dhe nevojave të ekonomisë kineze, kanë një lloj shansi që të kenë sukses. Dhe kjo mund të arrihet. Kina nuk është një armike sistematike. Ajo dëshiron të jetë pjesë e sistemit global.

Advertisement

Një politikë e tillë nënkupton tërheqjen e Perëndimit nga roli i privilegjuar që ka pasur deri më sot në sistemin global. Kjo mund ta dëmtojë disi dhe t’i kushtojë. Por çmimi për një politikë të tillë, do të jetë padyshim më i ulët sesa përballja me Kinën, e cila rrezikon të çojë në një konflikt ushtarak. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Marrë me shkurtime

Shënim: Joergen Oerstroem Moeller, ish-sekretari i shtetit për Ministrinë e Jashtme Mbretërore të Danimarkës, dhe autor i librit “Transformimi i Azisë:Nga Globalizimi ekonomik tek rajonalizimi”.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy