Angela Merkel dhe fundi i një epoke!

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Angela Merkel dhe fundi i një epoke!

Nga Rosalba Bejdo

Adhuruesit e kanë pagëzuar si lideren e botës së lirë, si Zhan D’Ark të kohërave moderne. Gruaja që sfidoi “të fortët” e planetit e që udhëhoqi me qetësi Gjermanin drejt statusit si gjiganti i ri politik i skenës ndërkombëtare.

Liderja humane që hapi dyert për emigrantët e pashpresë, kur të gjithë ia mbyllën; negociatorja e shkëlqyer që zbuti disa prej krizave më të rënda të globit, nga ajo financiare në 2008 te divorci i dhimbshëm me Britaninë e Madhe, vite më vonë. Por si arriti, vajza e Helmut Kohl, siç e quanin, të ngjitej në majat e politikës globale të dominuar deri atëherë nga meshkujt?

Cila është trashëgimia që lë pas, në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme që tani hyn në një epokë të re; atë pa kancelaren Angela Merkel! E lindur në Gjermaninë Lindore komuniste, nga Horstand Herlind Kasner, Angela Merkel u rrit botë ku një fjalë e gabuar mund të rrezikonte jetën e familjes. Ajo zhvilloi një shqisë të gjashtë, së cilës mund t’i besonte.

Advertisement

Rënia e murit të Berlinit çoi në rritjen e karrierës së saj politike; nga një personazh i ndrojtur u vu në qendër të vëmendjes.

“Unë bashkëthemelova një parti të quajtur, “Zgjimi Demokratik”. Një ditë, në vjeshtën e vitit 1989, Angela Merkel u shfaq ne zyrën tonë. M’u krijua përshtypja se kishte interes të madh për politikën. Filloi punë si zëvendëssekretare për shtyp, për qeverinë e parë të zgjedhur në Gjermaninë Lindore. Në atë kohë, mund të dalloje qartë vështirësinë e të qenit para kamerave, dhe lehtësinë e skuqjes përballë çdo ndjenje parehatie”, kujton Rainer Eppelmann, ish-ministër i Mbrojtjes në Gjermaninë Lindore.

“Konsiderohej si vajza nga Gjermania Lindore, me prerjen e çuditshme të flokëve dhe së cilës ne të perëndimit duhet t’i shpjegonim se si funksionon jeta politike. Mendoj se mësoi shumë nga eksperienca dhe të qenit e nënvlerësuar e ndihmoi”, thotë Tanit Koch, kryeredaktore, “Bild”.

Kjo rrugë e çoi atë nën radarët e Helmut Kohl, kancelarit dhe lideri i CDU-së në atë kohë, i cili u ndje i detyruar të mblidhte politikanë të rinj të talentuar nga lindja, përfshirë gruan e çuditshme. Kur Helmut Kohl vendosi t’i besonte postin e ministres për Gratë dhe Rininë, në janar të vitit 1991, shumë nxituan të paralajmëronin të ardhme turpëruese; por në fakt e ardhmja ishte plot lavdi; me Merkel që udhëhoqi një radhë të gjatë fitoresh.

Advertisement

Helmut Kohl e pagëzoi si “vrasësen e tij”, pasi ajo ishte ministrja e parë që i “nguli thikën”, pas një skandali të madh me donacionet në parti; një goditje që i dha fund karrierës së tij. Pasi Gerhard Shroder, kancelari plot vetëbesim i SPD-së kërkoi të marrë në mbrojtje Merkel, ajo u angazhua ta vendos në qoshe. Dhe në fakt ia doli; duke e mundur për postin kryesor në zgjedhjet e vitit 2005.

“Sigurisht që ai e nënvlerësoi. Merkel ishte njeriu më i nënvlerësuar. Dukej si vajza e turpshme e një pastori protestant, por nuk e panë se ajo kishte një mendje të mprehtë dhe të ndritur”, thotë Wolfgang Nowak, shef i politikave në kancelari 1999-2003. “Blair, të cilin Merkel e adhuronte, kishte hijeshi, Clinton ishte e hijshme e po ashtu Obama. Merkel jo, por në fund ishte e vetmja që mbijetoi”.

Merkelit iu desh të luftonte seksizmin dhe fillimisht nuk u mor seriozisht nga liderët e tjerë botërore. Pa e humbur qetësinë dhe qëndrueshmërinë që e karakterizonte që në vitet e para të karrierës, kancelarja e re spikati shpejt në skenën politike globale kur George Bush ishte president amerikan, Jacques Chirac në krye të Elizesë dhe Tony Blarir, kryeministër.

E armatosur me një doktoraturë në fizikë, Merkel adoptoi një qasje pragmatike ndaj zgjidhjes së problemeve në Gjermani dhe Europë, duke marrë një rol vendimtar në zgjidhjen e krizës së euros në 2008-n, atë të emigrantëve në vitin 2015 dhe të Brexit. Nga “vajza”, ajo shpejt u shndërrua në “die Mutti” (Mami), një figurë amësore për gjermanët.

Advertisement

Në vjeshtën e vitit 2008, kriza në tregjet imobiliare amerikane preku edhe sektorin bankar në Gjermani. Raportet nga Bundesbank, se sasi gjithnjë e më të mëdha parash po tërhiqen nga bankat gjermane, detyruan Merkel të bënte shfaqjen e saj të parë si menaxhere e krizave. Ajo u dha fjalën gjermanëve se depozitat e tyre ishin të sigurta.

Në vitin 2010, Merkel u bë figurë dominuese në formësimin e përgjigjes së Europës ndaj krizës së borxhit që u shpalos në Greqi një vit më herët. Bashkë me atëherë ministrin e financave Wolfgang Schäuble, ajo kërkoi reduktime të dhimbshme në buxhet dhe rritje taksash në Greqi, në këmbim të mbështetjes për paketat ndërkombëtare të shpëtimit me vlerë prej më shumë se 300 milionë euro.

Qëndrimi i ashpër bëri që të pagëzohej nga shumë si mbretëresha e pashpirt e masave të kursimit, ndërsa u shfaq në karikatura me uniformën e Hitlerit. Në vitin 2012, ajo e vuri projektin ndërpartiak për shpëtimin e euros në qendër të lidershipit.

Mbrojtëse e flaktë e unionit, ajo mbajti gjithashtu mbi shpatulla barrën e bllokut gjatë divorcit të mundimshëm me Britaninë e Madhe. Por ndërsa Brexit vuri në sprovë të rëndë lidhjet mes unionit dhe Londrës, i kushtoi postin dy kryeministrave në Britaninë e Madhe, David Cameron dhe Theresa May, pozicioni i Merkel qëndroi i palëkundur.

Advertisement

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili finalizoi divorcin me Brukselin pasi dy paraardhësit e tij dështuan ta bëjnë, zgjodhi Gjermaninë për vizitën e tij të parë jashtë vendit, duke vlerësuar fuqinë e aleancës Anglo-gjermane. Edhe pse janë përplasur për legjislacionin e Brexit dhe masat anti-covid, Merkel dhe Johnson ruajtën një bashkëpunim të mirë.

Nëse aftësitë diplomatike dhe ekonomike nuk ishin të mjaftueshme, ajo shfaqi anën e dhembshur dhe njerëzore kur lufta siriane dhe emigracioni masiv që nxiti në kufijtë e BE-së, ekspozoi çarjet e mëdha brenda unionit. Angela Merkel e vendosi veten në ballë të kulturës mbizotëruese të mirëseardhjes në Gjermani. E mbështetur nga popullariteti i madh, Merkel iu bind parimeve personale politike, pa konsideruar taktika elektorale.

Në shtator të vitit 2015, mirëpriti krahëhapur mijëra njerëz që donin t’u shpëtonin konflikteve në Siri, Afganistan apo Irak, me shpresën e një jete më të mirë. Kancelarja e pozicionoi veten me fjalë të forta e të qarta, kundër ksenofobisë në Heidenau, Saksoni, dhe u mbrojt nga kritikat se kishte qenë shumë miqësore me refugjatët.

“Për të qenë e sinqertë, nëse do të nisim të justifikojmë veten se treguam fytyra miqësore në kohë krize, atëherë ky nuk është vendi im. Wir Shafen Das – (Ne mund ta bëjmë)”, u tha atëherë gjermanëve Merkel, shprehja e famshme e kthyer në simbol të krizës.

Advertisement

Politika e jashtme gjermane kishte qenë e kufizuar nga trashëgimia e Luftës së Dytë Botërore. Por Merkel i zhvendosi interesat e Berlinit përtej sferës tradicionale europiane. Pasi presidenti në largim, Barack Obama e cilësoi Merkelin si një aleate të jashtëzakonshme, dhe dy liderët joshën mediat me bisedat e relaksuara dhe buzëqeshjet e shpenguara, lidhjet mes Berlinit dhe Uashingtonit u përkeqësuan më vonë, me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Në një takim të ftohtë të parë në mars të vitit 2017, gazetarëve nuk u shpëtoi një moment i çuditshëm kur Trump refuzoi ritin tradicional të shtrëngimit të duarve për fotografët. Edhe gruaja e hekurt dhe e përmbajtur e pati të vështirë t’i rezistonte uraganit Trump, duke e lëshuar veten në mimika e gjestikulacione mosaprovimi, diçka e pazakontë për të.

Në programin elektoral për zgjedhjet gjermane, konservatorët e Merkel e hoqën termin “mik” në përshkrimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Por lidhjet u përmirësuan sërish, pasi Joe Biden mori pushtetin. Angela Merkel ishte mes të parave që u ftua në Shtëpinë e re të Bardhë, ku shefi i ri e quajti si miken më të madhe, personale të Shteteve të Bashkuara.

Roli i Merkel si mbështetëse e bashkëpunimit dhe jo konfrontimit u bë i qartë nga vullneti për t’u angazhuar me presidentin rus, Vladimir Putin, ndërsa shumë udhëheqës të tjerë botërorë kishin hezituar ta bënin. Me një rusishte të rrjedhshme, “background”-in e rritjes mes politikave të Luftës së Ftohtë dhe mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit, u përpoq dhe ia doli të bashkëpunonte me autokritikën që shumë të tjerë e patën të vështirë të afronin.

Advertisement

Mbrojtëse e më të dobëtëve, Merkel investoi një pjesë të mirë të kohës dhe energjisë për Ballkanin Perëndimor, gjatë 16 viteve në pushtet. “Zemra ime do të vazhdojë të rrahë për Ballkanin Perëndimor edhe kur të mos jem më në pushtet”, deklaroi ajo.

Edhe pse nuk e përmbushi dot angazhimin për integrimin e rajonit në bllok, trashëgimia e Merkelit në Ballkanin Perëndimor do të jetë e vështirë për t’u mundur. Kancelarja formësoi politikën e BE-së për 6 vendet, e ktheu rajonin në qendër të interesave strategjike dhe u bë shtylla e palëkundur e kredibilitetit, në një kohë kur mesazhet që vinin nga Brukseli minonin gjithmonë e më shumë shpresat e rajonit për integrim. Procesi i Berlinit, një prej projekteve më të rëndësishëm diplomatik në Ballkan, mban vulën e Merkel.

Por sundimi i saj nuk ka qenë pa probleme dhe kritika. Një sulm në një treg të mbipopulluar Krishtlindjesh në zemër të atij që dikur ishte Berlini Perëndimor, u pa si legjitimim i zërave kritikë ndaj vendimit të Merkel për të hapur kufijtë e Gjermanisë për rreth 900 mijë emigrantë. Çdo sulm që kishte sadopak lidhje me fluksin e refugjatëve, faturohej në derën e Merkel nga kundërshtarë kyç, që nuk humbnin rast për të destabilizuar të vetmen udhëheqëse “mainstream” që dukej e palëkundur në Europë.

Vendimi i vitit 2015, çoi gjithashtu në rritje të mbështetjeve për alternativën antiemigrante për Gjermaninë, e cila u bë partia më e fortë opozitare, para se të tkurrej sërish pas mbërritjes së krizës së koronavirusit.

Advertisement

Merkel ka menaxhuar me sukses, krizë pas krize, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë më e madhe se pandemia e koronavirusit. “Është një sfidë politike, sociale dhe ekonomike që vjen një herë në shekull. Nuk mendoj se ekzagjeroj kur them se gjatë 15 viteve të fundit, nuk jam gjendur kurrë më në vështirësi se tani. Që prej fillimit, ajo e pranoi se koronavirusi ishte një imponim ndaj demokracisë. Kancelarja u fokusua te mbrojta e vlerave demokratike në kohë krize dhe përsëriti shpesh se çdo veprim i qeverisë së saj do të mbështetej te transparenca, ekspertiza, komunikimi dhe dinjiteti i jetës individuale. Por pas suksesit fillestar kundër pandemisë, vendi u bë më vonë viktimë e suksesit të vet me Merkelin që këtë herë e pati të vështirë të gjente konsensusin aq shumë të kërkuar.

Merkelit iu desh të kërkonte falje në publik pas përpjekjes për të ashpërsuar masat ne nivel federal në prag të Pashkëve, ndërsa krerët e landeve nguteshin të lehtësonin kufizimet edhe pse vala e tretë e pandemisë kishte mbërthyer fort Gjermaninë. “Një gabim duhet quajtur si i tillë, dhe mbi të gjitha duhet korrigjuar. Ndjej pendesë dhe u kërkoj falje të gjithë qytetarëve”, do të shprehej ajo.

E kurorëzuar si liderja e padiskutueshme e Europës, Merkel ka ndjekur strategjinë e “hapave të vegjël”, duke u shfaqur më shumë si tekniciene se sa politikane. Në kohë kritike, zgjodhi përmbajtën para veprimit, dhe ndërsa shumë e vlerësuan për qëndrueshmërinë, të tjerë e kritikuan për mungesë vizioni.

Krishtere e devotshme, ruajti të fortë besimin në Zot përgjatë gjithë jetës dhe njihet për fjalimet në mbledhjet Kishtare. Lidhja e fortë më Kishën dhe “background”-i shkencor ka bërë që shumë ta krahasojnë me Margaret Thatcher, edhe pse konsiderohet më pak përçarëse se ajo. Ekstremisht e sigurt në stilin e saj, me kostumet identike që ndryshojnë vetëm ngjyrën, ajo mbyste me sukses çdo diskutim mbi atë që kishte veshur, duke e përqendruar vëmendjen te mesazhi politik. E famshme për qëndrimin e saj, me duart e bëra bashkë në formën e një diamanti që njihet ndryshe si “Rombi i Merkel” apo “Rombi i Pushtetit në Gjermani”. Ishte një shenjë qëndrueshmërie dhe sjellje të pandryshueshme të një politikaneje që preferonte t’i përvishej punës se sa të merrej me shërbime fotografike. Por përtej shfaqjeve politike, ajo është fotografuar shpesh teksa shijonte një prej pasioneve më të mëdha, futbollin, duke u bërë tifozja më e zjarrtë e skuadrës kombëtare përgjatë viteve.

Advertisement

Angela Merkel u dha lamtumirën gjermanëve, me një repertor këngësh të zgjedhur nga vetë ajo e që përfaqësojnë më së mirë gruan që për 16 vite ofroi siguri në kohë të trazuara. Kishte Zot, romanticitet, mesazhe feministe, dhe sigurisht një porosi të fundit për pasardhësin, Olaf Sholz.

Kancelarja e parë grua dhe nga Gjermania Lindore, u bë udhëheqësja më jetëgjatë në Bashkimin Europian dhe në një demokraci të madhe perëndimore. Udhëhoqi e bashkëpunoi me 4 presidentë amerikanë, 5 kryeministra britanikë, përfshirë Tony Blair, 4 presidentë francezë dhe 8 kryeministra italianë. Ka marrë pjesë në 100 samite të Bashkimit Europian, dhe jo rrallë është pagëzuar si e vetmja “e rritur” në dhomë… Është kurorëzuar si gruaja më e fuqishme në planet për 13 nga 14 vitet e fundit. Medaljen e saj nga skena e politikës globale, pyetja që ngrenë të gjithë është: A do të mundet dikush të veshë këpucët e saj dhe a do të ketë ai besueshmërinë dhe aftësinë e saj? Ne, dhe bota, duhet të presim për ta mësuar nëse boshllëku i lënë nga “Nëna”, do të mbushet.

E ardhmja e Europës do të varet nga kjo!

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy