
Autoritetet amerikane kanë arrestuar të premten e 5 nëntorit, analistin rus që punoi me dosjen, e cila lidhte Donald Trump me Rusinë – dosja “Steele”.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi Igor Danchenko, 43 vjeç, se ka gënjyer FBI-në.
Ai u arrestua si pjesë e një hetimi mbi origjinën e pretendimeve të pabaza se Trump bashkëpunoi me Rusinë gjatë zgjedhjeve të 2016-ës.
Dosja Steele u përdor nga FBI-ja për të marrë urdhër survejimi për një ndihmës të lartë të Trump-it.
Danchenko ka punuar me ish-spiunin britanik Christopher Steele për dosjen.
Buzzfeed e publikoi 10 ditë përpara se Trump të merrte detyrën. Dosja Steele bëri një sërë pretendimesh që lidhnin Trump me Kremlinin zyrtar.
Trump, nga ana e tij, gjithmonë i ka mohuar akuzat.
Danchenko, supozohet se ka gënjyer agjentët kur tha se nuk kishte komunikuar kurrë me një ekzekutiv të paidentifikuar për akuzat e dosjes.
Një deklaratë e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë thotë se Danchenko u akuzua për dhënien e deklaratave të rreme në FBI pesë herë në vitin 2017, “në lidhje me burimet e informacionit të caktuar që ai i dha një firme hetimore në Mbretërinë e Bashkuar”.
Shtetasi rus doli për pak kohë përpara një gjyqtari në Aleksandri të Virxhinias.