Bashkëpunimi Kinë-Rusi në hapësirë, sfidë për perëndimin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Bashkëpunimi Kinë-Rusi në hapësirë, sfidë për perëndimin

Kina dhe Rusia kanë filluar të bashkëpunojnë në teknologji për të zhvilluar një sistem që do të rivalizonte sistemin amerikan GPS të navigimit satelitor dhe atë evropian Galileo. Një analist thotë se ky është një shembull se si Moska dhe Pekini po ndjekin lidhje më të ngushta ushtarake dhe strategjike – me ndërlikime të mëdha për sigurinë globale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga Londra.

Në fillim të këtij viti, Kina ra dakord të lejojë në territorin e saj, stacionet e monitorimit tokësor të sistemit të pozicionimit rus GLONASS. Këto stacione janë një komponent kyç për pozicionimin global. Nga ana tjetër, Rusia ra dakord të lejojë stacione tokësore për sistemin BeiDou të Kinës.

Stacione të tilla tokësore janë të pambrojtura ndaj hakerimit – dhe marrëveshja reciproke tregon një nivel në rritje të besimit dhe bashkëpunimit midis Moskës dhe Pekinit, thotë analisti Alexander Gabuev.

“Përplasjet e Rusisë me Perëndimin dhe konfrontimi dhe konkurrenca e thelluar mes Kinës dhe SHBA-së, si dy superfuqi, po kontribuojnë padyshim në afrimin mes Moskës dhe Pekinit. Ekziston një mbështetje e natyrshme ekonomike ku Rusia ka burime natyrore të bollshme dhe Kina ka kapital dhe teknologji për t’i zhvilluar ato. Të dyja janë shtete autoritare”, thotë Alexander Gabuev me qendrën Carnegie të Moskës.

Advertisement

Satelitët janë një tjetër komponent në navigimin global. Sistemi BeiDou i Kinës përdor 35 satelitë për t’u siguruar përdoruesve një pikë referimi në Tokë me një saktësi prej rreth 10 metrash – ose më të saktë për përdoruesit ushtarakë. Sistemi GLONASS ka më pak satelitë në orbitë.

Do të duhet kohë që të ndihet ky bashkëpunim në sistemet e navigimit satelitor.

“Deri tani ende nuk kemi parë ndonjë rezultat të rëndësishëm, pasi në Rusi përdoret kryesisht sistemi GLONASS, por edhe GPS-i disi; nuk kemi parë projekte të mëdha të lidhura me sistemin BeiDou”, thotë zoti Gabuev.

Satelitët shihen gjithashtu si një komponent thelbësor i fuqisë ushtarake të shekullit të 21-të. Muajin e kaluar Rusia testoi një raketë për të shkatërruar një prej satelitëve të saj. Shtetet e Bashkuara thanë se mbeturinat e krijuara kërcënuan astronautët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Advertisement

“Ajo që është më shqetësuese është rreziku që krijon për komunitetin ndërkombëtar. Ai minon stabilitetin strategjik”, tha Lloyd Austin, sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë midis disa vendeve që zhvillojnë raketa hipersonike, me një shpejtësi pesë herë sa ajo e zërit.

Moska thotë se Shtetet e Bashkuara nuk pranuan të angazhohen në një traktat hapësinor të përbashkët ruso-kinez.

“Ata kanë injoruar për shumë vite iniciativën e Rusisë dhe Kinës për të përgatitur një traktat për të parandaluar një garë armatimesh në hapësirë. Ata thjesht e injorojnë atë, duke insistuar në vend të kësaj zhvillimin e disa rregullave universale”, thotë ministri i Jashtëm rus.

Advertisement

Por ka kufizime për bashkëpunimin ruso-kinez, thotë zoti Gabuev.

“Si Rusia dhe Kina janë të përkushtuara për autonominë e tyre strategjike. Ka nacionalizëm të rrënjosur thellë, ka njëfarë niveli mosbesimi dhe njëfarë konkurrence në shumë prej fushave, ku në dukje ka bashkëpunim, si programet hapësinore”, thotë Alexander Gabuev.

Rusia ka punuar më ngushtë me Indinë sesa me Kinën – duke zhvilluar sistemin e përbashkët raketor BrahMos.

“Rusia ndihej mjaft e sigurt për të zhvilluar raketat BrahMos së bashku me kolegët indianë. Pra, ky bashkëpunim ushtarak midis Rusisë dhe Kinës po thellohet, dhe padyshim që po shkakton një sfidë të rëndësishme për Perëndimin, veçanërisht sepse ndihmon Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës të bëhet një fuqi luftarake e shekullit të 21-të dhe një fuqi ushtarake globale. Por në të njëjtën kohë, ne nuk shohim një bashkëpunim aq të ngushtë si ai mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Amerikës”, thotë Alexander Gabuev.

Advertisement

India ka blerë gjithashtu sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400 – një përpjekje për të konkuruar fuqinë ushtarake të Kinës – dhe një tregues i kompleksitetit të marrëdhënieve strategjike në një rend botëror që po ndryshon.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy