BE apel Izraelit që të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar

Pinterest LinkedIn Tumblr +
BE apel Izraelit që të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar

Bashkimi Evropian ka përsëritur sërish apelin ndaj Izraelit që të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar, për shkak të shqetësimeve në rritje për sigurinë e punëtorëve në organizatat ndërkombëtare që transportojnë ndihma humanitare në Gaza.

“I bëjmë thirrje (Izraelit) të respektojë rregullat, të cilat janë pjesë integrale e qëndrimit tonë, nevojën për të respektuar të drejtën ndërkombëtare humanitare”, tha një përfaqësues i Komisionit, gjatë konferencës së korrespondentëve në Bruksel.

Arsyeja e këtij apeli ishte vdekja e të paktën gjashtë punëtorëve të organizatës joqeveritare World Central Kitchen (WCK) në një sulm ajror izraelit kundër automjetit në të cilin ata udhëtonin.

Komisioni dënoi sulmin dhe kërkoi një hetim të menjëhershëm për personat përgjegjës.

Advertisement

Ndonëse OJQ-ja në fjalë nuk i përket organizatave ndërkombëtare që marrin mbështetje financiare nga BE-ja, si presidenti i Komisionit ashtu edhe kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, shprehën keqardhjen për ngjarjen në platformën X.

“I bëj nderim punëtorëve të WCK që humbën jetën në Gaza”, tha Ursula von der Leyen, duke shtuar se organizata është një “partner kritik në zbutjen e vuajtjeve të popullit të Gazës”.

Nga ana e tij, Josep Borrell dënoi sulmin dhe bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm për incidentin.

“Pavarësisht thirrjeve për të mbrojtur civilët dhe punonjësit e ndihmës, ne po shohim viktima të reja të pafajshme”, shtoi ai.

Advertisement

Sipas kreut të diplomacisë evropiane, incidenti dëshmon se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një armëpushim të menjëhershëm, akses të plotë të ndihmës humanitare dhe mbrojtje të shtuar të civilëve duhet të zbatohet menjëherë.

Me një buxhet vjetor prej 125 milionë eurosh për Palestinën, BE-ja është një financues kryesor i ndihmës humanitare për Gazën, veçanërisht pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit tetorin e kaluar.

Një përfaqësues i Komisionit raportoi pak më parë se deri më tani 81 milionë u janë dhënë organizatave si Kryqi i Kuq, Gjysmëhëna e Kuqe dhe OKB-ja, konkretisht Agjencia Palestineze e Ndihmës (UNRWA)./vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy