BE përgatit sanksione të reja ndaj naftës e më shumë bankave ruse

Pinterest LinkedIn Tumblr +
BE përgatit sanksione të reja ndaj naftës e më shumë bankave ruse

Bashkimi Evropian do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë lidhur me sulmin kundër Ukrainës. Në qendër do të jetë industria e naftës, më shumë banka ruse dhe ata që janë përgjegjës për dezinformimin, tha të martën kryediplomati i BE-së.

Ne po punojmë për paketën e gjashtë të sanksioneve që synon të heqë edhe më shumë banka (ruse) nga sistemi SWIFT, do të listojë aktorët e dezinformimit e të godasë importet e naftës“, shkruante në një postim në Twitter Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme në BE.

Sipas zyrtarëve evropianë raundi më i fundit i sanksioneve do të prekë gjithashtu “Sberbank SBER.MM”, huadhënësi kryesor i Rusisë, duke e shtuar atë në listën e disa banka që tashmë janë përjashtuar nga sistemi SWIFT, i cili lehtëson pagesat ndërkombëtare.

Zoti Borrell tha se masat e propozuara kundër Rusisë, e cila sulmoi Ukrainën më 24 shkurt, do t’i paraqiten për miratim 27 vendeve anëtare të BE-së.

Advertisement

Zyrtarët thanë se Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pritet të përshkruajë sanksionet e reja të propozuara të mërkurën dhe se ato do të përfshijnë një ndalim të importeve të naftës ruse deri në fund të këtij viti.

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi Perëndimin të martën se ai mund t’i ndërpresë eksportet e mos respektoje marrëveshjet si përgjigje ndaj barrës së sanksioneve të vendosuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

Një embargo ndaj naftës ruse do t’i hiqte Moskës një burim të madh të ardhurash, por arritja e një marrëveshjeje për këtë masë ka ndarë vendet e bllokut evropian, të cilat sigurojnë 26% të importeve të naftës, nga Rusia.

Hungaria dhe Gjermania ishin ndër vendet që kishin rezerva ndaj një embargoje të naftës. Ndër shqetësimet e tyre ishte se rritja e çmimeve të energjisë do të dëmtonte ekonomitë e BE-së, që tashmë po përballen me inflacionin.

Advertisement

Rezistenca ndaj një ndalimi të importit të naftës u zbeh gjatë javës së kaluar me arritjen e një marrëveshjeje që do të ofronte përjashtime për Sllovakinë dhe Hungarinë, thanë diplomatët për agjencinë e lajmeve Reuters, dy vende këto shumë të varura nga nafta e papërpunuar ruse.

Sipas Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, vendet e BE-së i kanë paguar më shumë se 47.43 miliardë dollarë Rusisë për gaz dhe naftë që kur ajo nisi sulmin në Ukrainë./VOA

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy