Biden përballet me sfidën ndërkombëtare të ndihmës për klimën

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Biden përballet me sfidën ndërkombëtare të ndihmës për klimën

Presidenti amerikan, Joe Biden nuk ka qënë në gjendje të bind ligjvënësit që të financojnë plotësisht kërkesat e tij për kontribute për vitet fiskale 2022-2023, në fondet ndërkombëtare që ndihmojnë vendet e varfra të trajtojnë ndryshimet klimatike. Biden u zotua në Kombet e Bashkuara në 2021 se SHBA-ja do të ofronte fonde me vlerë 11.4 miliardë dollarë në vit, duke filluar nga viti fiskal 2024. Republikanët, të cilët kanë kundërshtuar shumicën e shpenzimeve të lidhura me ndryshimet klimatike, do të kenë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve vitin e ardhshëm, kështu që, Biden do të përballet me një luftë të ashpër për të përmbushur këtë premtim.

 

 

Biden, më 23 dhjetor nënshkroi legjislacionin e shpenzimeve fiskale të vitit 2023, i cili përfshinte 1.06 miliardë dollarë për programet e financimit të klimës, krahasuar me 5.3 miliardë dollarë që kërkonte administrata. Për vitin e kaluar buxhetor, Kongresi siguroi të njëjtën shumë parash për financimin e klimës. Një muaj më parë, negociatorët arritën një marrëveshje në bisedimet e OKB-së për klimën në Egjipt, për të krijuar një fond të ri për të ndihmuar vendet e varfra dhe ato në rrezik të përballojnë fatkeqësitë klimatike. Ky njihet si fondi i “humbjes dhe dëmit”, një objektiv i gjatë i aktivistëve të klimës gjatë në bisedimet ndërkombëtare. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se John Kerry, ish-sekretari i Shtetit dhe këshilltari për klimën i Biden, i tha Kongresit se financimi i klimës duhet të jetë një prioritet në projektligj.

Advertisement

 

 

Vendet e zhvilluara premtuan në vitin 2009 se do të siguronin të paktën 100 miliardë dollarë në vit për vendet në vijën e parë të ndryshimeve klimatike për t’iu përshtatur efekteve të një planeti që po ngrohet. Ndërsa, SHBA-ja mbetet prapa fuqive të tjera perëndimore, si Bashkimi Evropian, i cili kontribuoi me rreth 24 miliardë dollarë në vitin 2021 në programet e financimit të klimës. Njëqind organizata, muajin e kaluar i shkruajtën Biden dhe udhëheqësve të Dhomës dhe Senatit, duke kërkuar një minimum prej 3.76 miliardë dollarësh për financimin e klimës.Në projektligjin përfundimtar të shpenzimeve, Kongresi nuk dha fonde për Fondin e Klimës së Gjelbër, një fond i mbështetur nga OKB-ja për të  ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta të adresojnë ndryshimet klimatike, ashtu siç bëri për vitin fiskal 2022.Dokumenti përfundimtar ofron 150.2  milionë dollarë për Fondin Global të Mjedisit, një fond shumëpalësh, që përputhet me atë që kërkoi Biden.

 

Advertisement

 

Por ligjvënësit dhanë 125 milionë dollarë për Fondin e Teknologjisë së Pastër, të menaxhuar nga Banka Botërore, më pak se 550 milionë dollarët që kërkoi Shtëpia e Bardhë dhe e barabartë me fondet e miratuara për vitin fiskal 2022. Kongresi siguroi rreth 52 milionë dollarë për Fondin Shumëpalësh të Protokollit të Montrealit, afërsisht të barabartë me nivelet aktuale të shpenzimeve, por më pak se 64 milionë dollarë që kërkoi administrata, dhe 15 milionë dollarë për dy organe ndërkombëtare të klimës, Panelin Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike dhe Konventën Kuadër të OKB-së për Klimën.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy