Blinken drejt Evropës në kërkim të unitetit për luftërat në Ukrainë dhe Gazë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Blinken drejt Evropës në kërkim të unitetit për luftërat në Ukrainë dhe Gazë

Sekretari i Shtetit Antony Blinken planifikon të udhëtojë për në Francë dhe Belgjikë javën e ardhshme për të rritur unitetin mes aleatëve të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë.

Ai pritet të diskutojë me aleatët edhe për Izraelin dhe luftën e tij kundër militantëve të Hamasit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, analistët thonë se zoti Blinken përballet me një detyrë të vështirë.

Rusia kreu sulme ajrore mbi qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, të mërkurën për herë të parë që nga viti 2022, duke vrarë të paktën një civil dhe plagosur 16 të tjerë si dhe duke shkaktuar dëme të mëdha.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë drejt Evropës javën e ardhshme për të forcuar mbështetjen për Ukrainën, siç njoftoi Departamenti i Shtetit.

Advertisement

“Sekretari Blinken do të shkojë në Paris, Bruksel dhe Leuven, në Belgjikë, nga 1 deri më 5 prill për të theksuar angazhimin tonë ndaj aleancës së NATO-s, forcimin e partneriteteve transatlantike dhe trajtimin e sfidave globale. Në Paris, Sekretari Blinken do të takohet me presidentin francez (Emmanuel) Macron për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën, përpjekjet për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në Gazë dhe një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mathew Miller.

Presidenti francez ngjalli polemika muajin e kaluar kur tha se Rusia nuk duhet lejuar të fitojë dhe se nuk duhet të përjashtohet mundësia që Perëndimi të dërgojë trupa tokësore në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e hodhën poshtë me shpejtësi sugjerimin për trupat tokësore.

Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se ai beson se Presidenti Macron po thoshte atë që shpesh thuhet edhe nga Shtetet e Bashkuara, se të gjitha opsionet janë të mundshme, megjithatë pa lënë të kuptohet se ka plane për dërgimin e trupave në Ukrainë.

“Jemi në një moment të vështirë, sa i përket luftës në Ukrainë. Kjo po krijon sfida dhe rreziqe të reja përshkallëzimi. Shtetet e Bashkuara dhe Franca janë më të prirura për të mbështetur Ukrainën. Mendoj se takimi me presidentin Macron sigurisht që do të jetë shumë i rëndësishëm për këtë përkrahje”, thotë Ian Lesser, nënkryetar i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, me qendër në Bruksel.

Advertisement

Ndërkohë, Sekretari Blinken do të shkojë në Evropë javën e ardhshme, pasi zemërimi po rritet edhe për viktimat në Gazë si rezultat i luftës së Izraelit kundër grupit të Hamasit, që Shtetet e Bashkuara e kanë përcaktuar si grup terrorist. Një tjetër ekspert i tha Zërit të Amerikës se në Paris dhe Bruksel, zoti Blinken duhet të sigurojë përkushtimin e aleatëve për të ruajtur mbështetjen për Izraelin.

“Ai do të duhet të shprehë mbështetje të fortë për Izraelin. Mendoj se Presidenti Biden ka qenë i qartë për këtë, por në të njëjtën kohë, kërkohet kujdes ndaj disa prej shqetësimeve që kanë evropianët, veçanërisht në lidhje me atë nëse Izraeli po përdor dhunë të tepruar, ose nëse mungon një strategji afatgjatë, apo nëse Izraeli po bën shkelje të të drejtave të njeriut në Gazë”, thotë Michael Kimmage, profesor i historisë në Universitetin Katolik të Amerikës

Një tjetër temë diskutimi për zotin Blinken ka të ngjarë të jetë kërcënimi terrorist nga Shteti Islamik, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e javës së kaluar në një sallë koncertesh në Moskë. Shtetet e Bashkuara i hodhën poshtë si propagandë akuzat e zyrtarëve rusë se Ukraina ishte e përfshirë në sulm./VOA/

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy