Burokracia gjermane pengon bashkimin familjar

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Burokracia gjermane pengon bashkimin familjar

Dhjetëra mijëra shtetas të vendeve të Ballkanit Perëndimor jetojnë në Gjermani. Por familjarët e tyre shpesh duhet të presin një kohë shumë të gjatë për bashkimin familjar. Opozita gjermane kërkon ndryshime.

Para shumë vitesh Milica Zhivkoviq dhe burri i saj Zheljko kanë vendosur të ikin nga Serbia. Në vend të një pune të paguar keq, të cilën shpesh mund ta marrësh vetëm nëse je i afërt me partinë në pushtet, Zheljko ka vendosur të marrë patentën e shoferit për kamionë. Ndërsa në fillim të vitit 2019 ka gjetur punë në Hof të Bavarisë. Atje ai ka zënë edhe një apartament të madh me shpresë se së shpejti do të sjellë edhe familjen e tij në Gjermani.

Milica Zhivkoviq ka kërkuar një orar në ambasadën gjermane në nëntor të vitit 2018, kur ishte e qartë se do të vinte të punojë në Gjermani. Por Milica dhe dy fëmijët e saj ende nuk kanë mundur të rregullojnë dokumentat për bashkim familjar në Gjermani. “Unë ndjehem tmerrësisht keq”, tha Milica, në një bisedë të zhvilluar në qershor 2020. “Më duket vetja sikur nuk po pres para dyerve të Gjermanisë, por para dyerve të një shtëpie tmerri. Ndarja e familjes na mundon shumë – burrin, mua dhe fëmijët.”

Kjo shihet edhe nga dy vërtetime që i ka marrë nga mjekët në qytetin Nish, në jug të Serbisë. Një psikolog shkruan, se djali i tyre shtatëvjeçar është impulsiv dhe kokëfortë – një reagim që është si pasojë e ndarjes së familjes. Në një vërtetim tjetër thuhet se vajza katërvjeçare urinon pa kontroll – për shkak të ngarkesës psikike që është shkaktuar nga pritja për marrjen e dokumenteve për bashkimin e familjes.

Advertisement

Kërkesat e shumta

Koha e pritjes për orare në Beograd për të paraqitur dokumentet për bashkim familjar është një dukuri që ngarkon shumë familje të ndara. Milica ka kërkuar këshilla në grupe të ndryshme në Facebook, ku shkëmbejnë mendime njerëzit me probleme të ngjashme – jo vetëm nga Serbia por nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Mijëra njerëz punojnë dhe jetojnë në Gjermani të ndarë nga familjet e tyre – sepse burokracia gjermane më shpejt jep viza për punë sesa për bashkim familjar.

Deutsche Welles i kanë ardhur mbi 20 postime të ndryshme me kërkesa të ngjashme. Ndër to ka dhe të tilla ku thuhet se të dy prindërit jetojnë dhe punojnë në Gjermani, ndërsa fëmijët kanë mbetur tek gjyshërit në vendlindje. Historitë dhe fatet janë të ndryshme, por të gjitha kanë një pikë të përbashkët: Të gjithë janë të dëshpëruar dhe të zemëruar me ngadalësinë e madhe të autoriteteve gjermane që merren me këto punë. “Unë do të filloj të luaj loto, sepse më duket se shanset janë më të mëdha të fitoj në loto, sesa të marr një vizë gjermane”, shkruan një burrë në këtë grup në Facebook.

Advertisement

Nga Ministria e Jashtme gjermane në Berlin thonë se përkundër shtimit të numrit të personelit në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka kërkesa të shumta për vizë, ndër tjera edhe për shkak të Rregullores së Ballkanit Perëndimor për punë në Gjermani.

Rregullorja për Ballkanin Perëndimor

Rregullorja për Balkanin Perëndimor është miratuar në vitin 2016. Sipas saj, shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi mund të vijnë në Gjermani dhe të gjejnë punë edhe pa pasur ndonjë kualifikim profesional. Qeveria në Berlin ka rënë dakord ndërkohë që kjo Rregullore të mbetet në fuqi deri në vitin 2023. Ajo parashikon mundësinë e ardhjes në Gjermani të rreth 25.000 personave nga BP në vit.

Ministria e Jashtme pranon, se janë bërë gabime tek bashkimet familjare dhe me dhënien e termineve. Kështu ka ndodhur që personat që janë regjistruar së fundmi në ambasadën gjermane në Beograd, kanë marrë më shpejt orare, se ata që janë duke pritur nga viti 2019. Ndërkohë erdhi edhe Corona dhe është ndërprerë puna e ambasadave në rajon për një kohë të gjatë. Por përkundër krizës ekonomike, sipërmarrjet gjermane ende kanë nevojë për fuqi punëtore nga këto vende. E çfarë do të ndodhë me familjet e tyre? Në artikullin 6 të Kushtetutës gjermane thuhetm se “Bashkëshortësia dhe familja gjenden nën mbrojtje të posaçme të shtetit.”

Advertisement

Familjet nuk kanë prioritet

Zëdhënësja e Të Majtës për çështjet e migrimit, Gökay Akbulut, pohon, se këtu ka probleme serioze. “Për familjet që jetojnë në Gjermani ky rregull ka një rëndësi të madhe, por jo edhe për familjet e migrantëve që vijnë për të punuar.”

Akbulut kujton edhe kohën kur ka ardhur vetë në Gjermani si fëmijë i një familje punëtorësh. “Deri më sot thuhet se tek ne duhet të vijnë punëtorë nga vendet e tjera për të punuar, sepse Gjermania ka mangësi të fuqisë punëtore. Por familjet e tyre ende nuk kanë prioritet.”

Gjermania nuk do të jetë më vend atraktiv për punëtorë të huaj, në qoftë se të gjithë kalojnë nëpër “mullirin e burokracisë për viza”, thotë zëdhënësja e ekologjistëve për çështje të migrimit, Filiz Polat. “Ardhja e fuqisë punëtore nuk duhet të shndërrohet në një përzgjedhje, sepse nuk mund të kërkohet që dikush të vijë të punojë, ndërkohë që nuk i lejohet bashkimi familjar”, thotë Polat në bisedë me DW.

Advertisement

Më në fund një orar (termin)

Milica Zhivkoviq ka mundur të vizitojë burrin e saj në Hof të Bavarisë vetëm me vizë turistike. Në qershor të vitit 2020, kur kemi biseduar për herë të parë me të, ajo tingëllonte shumë e pashpresë. Por në fundt të korrikut 2020 erdhi lajmi i shumëpritur – ajo mori një orar dhe javën e ardhshme mund të paraqesë kërkesën për bashkim familjar. Milica megjithatë mbetet skeptike: “Ne do të paraqesim kërkesën, por nuk e di sa do të presim përgjigjen dhe a do të kërkojnë dokumenta shtesë…”

Këtë përvojë ajo e ka shpërndarë menjëherë edhe me miq në grupin e posaçëm në Facebook. Nga reagimet shihet, se disa janë gëzuar por ka dhe të mllefosur, sepse ata presin edhe më gjatë se Milica Zhivkoviq për një orar./ DW

Burokracia gjermane pengon bashkimin familjar shkruan Vizion Plus.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy