
Edhe para luftës në Ukrainë, Lukashenko ka përfituar shumë duke qëndruar në krah të Putin, si nga ana politike, dhe ajo financiare.
Por, ai mund të humbë po aq shumë nga ky partneritet.
Implementimi i Marrëveshjes së Minskut, është një episod historik i cili u nënshkrua në Bjellorusi, mes Moskës dhe Kievit në vitin 2014.
Por ky shtet prej 10 milionë banorësh – i cili shumë të huajve ende i duket si një version në miniaturë i ish-Bashkimit Sovjetik – ka një rol shumë më të rëndësishëm në këtë konflikt, se sa thjesht të shërbejë si një ‘sofër’ për samitet mes Rusisë dhe Ukrainës.
Presidenti autokrat – Aleksandër Lukashenko – ka marr pjesë në shumë prej lojërave politike të Moskës, duke marrë në këmbim benefite të majme ekonomike dhe politike.
Thirrjet anti-amerikane
Kur presidenti rus Vladimir Putin, njohu zyrtarisht pavarësinë e rajoneve ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut, presidenti bjellorus Lukashenko i bëri thirrje ukrainasve të “ndalonin” konfrontimin me Rusinë dhe të hiqnin dorë nga “padronët amerikanë”.
“Boll më! Përzërini padronët tuaj nga ana tjetër e oqeanit. Ata nuk do t’ju sjellin lumturi. Kur mos ta kenë më nevojën tuaj, do t’ju hedhin menjëherë si plehra në skutat më të errëta të historisë,”- tha 67-vjeçari Lukashenko, i veshur me uniformë ushtarake.
Vlen për tu përmendur se presidenti bjellorus ka dalë që në fillim me deklaratën publike se nëse Rusia do të shpallte luftë ndaj Ukrainës, Bjellorusia nuk do të ngurronte t’i dilte në krah.
Përfitimet politike të Lukshenkos
Në vitin 1990, Lukashenko – që është quajtur shpesh “diktatori i fundit i Europës” – dhe presidenti rus Boris Yeltsin, ranë dakord që të krijonin një Shtet të Bashkuar – një bashkim mes Rusisë dhe Bjellorusisë.
Ky “bashkim” nuk ndodhi kurrë, por ai është përdorur për afro 2 dekada nga presidenti bjellorus për të vjelë fonde nga qeveria ruse në formën e kredive multimiliarda dollarëshe, marrëveshjeve tregtare apo edhe benefiteve për qindra mijëra emigrantë bjellorusë që punojnë në Rusi.
Lukashenko është identifikuar prej vitesh me arketipin e ‘’djalit të mirë” si antitezë e ‘deles së zezë’ apo qengjit që ndahet nga kopeja, duke iu referuar kështu Ukrainës, e cila është pozicionuar gjithnjë e më shumë pranë perëndimit.
Por aspekti politik nuk ka qenë i vetmi përfitim i Bjellorusisë nga krisja e marrëdhënieve mes Kievit dhe Moskës.
Përfitimet ekonomike të Lukashenkos kanë qenë edhe më të mëdha.
Kur protestat e vitit 2014 rrëzuan qeverinë pro-ruse në Ukrainë, Moska u kundërpërgjigj duke kufizuar tregtinë me Kievin – një moment që u përdor nga Bjellorusia për të ripaketuar mallrat ruse dhe ukrainase, dhe ia shitur ato të dyja palëve si të ishin produkte bjelloruse.
Gjithashtu, Bjellorusia ka përfituar edhe nga vendimi i Moskës për të rritur çmimin e gazit natyral për Ukrainën, duke shumëfishuar eksportin e naftës dhe energjisë drejt Kievit.
Deri tani, Bjellorusia e ka përdorur në favorin e saj përshkallëzimin e konfliktit Rusi-Ukrainë.
Por shumë mendojnë se mbështetja e Rusisë, mund të ketë një efekt bumerang, sidomos në aspektin ekonomik.
Përfitimet ekonomike të Lukshenkos
Varësia ndaj fondeve ruse – në një kohë kur tregu me Ukrainën është pothuajse inekzistent si pasojë e sanksioneve të vendosura nga Kievi – mund të mos jetë një zgjidhje e sigurt për Bjellorusinë, sidomos në një kohë kur Rusia është goditur me sanksione të shumta nga Shtetet e Bashkuara dhe BE, dhe mundësitë për këto fonde mund të limitohen në mënyrë drastike.
Në të njëjtën kohë, ekonomia bjelloruse ka qëndruar në një ngërç të gjatë që prej vitit 2019.
Në fillim të vitit 2021, buxheti shtetëror raportoi një deficit prej $520 milionë dollarësh në krahasim me një suficit prej $220 milionë dollarësh gjatë të njëjtës periudhë një vit më parë.
Sanksionet e ashpra të vendosura nga Perëndimi kundër Rusisë dhe dëmet e shumta që pritet të shkaktojë lufta në Ukrainë, së bashku me pozicionin e dobët ekonomik në të cilin ndodhet momentalisht Bjellorusia, e vendosin këtë shtet në një situatë jo fort të favorshme si në aspektin ekonomik edhe atë politik.
Mbetet për tu parë në vazhdim, se sa Lukshenko do të jetë në gjendje të përfitojë nga kriza aktuale në Ukrainë dhe qëndrimi i tij i palëkundur pro Putin.