Çfarë mund të thotë për Evropën një Gjermani post-Merkel

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Çfarë mund të thotë për Evropën një Gjermani post-Merkel

Nga Silvia Amaro, CNBC

Ndërsa Gjermania po përgatitet për një rishikim të status quo-së së saj politike, analistët po shqyrtojnë se çfarë ndikimi mund të ketë qeveria e ardhshme në Bashkimin Evropian. Ekonomia më e madhe e Evropës shkoi në votime të dielën e kaluar për të zgjedhur një kancelare të re, pas 16 vitesh në pushtet të Angela Merkelit.

Partia Socialdemokrate, SPD i fitoi zgjedhjet me një rezultat të ngushtë, sipas rezultateve paraprake me 25.7 për qind të votave. Tani ajo do të përpiqet të krijojë një qeveri koalicioni me partinë e Gjelbër dhe liberalët e Demokratëve të Lirë (FDP).

Advertisement

Aleanca konservatore e Merkel e Unionit Demokristian dhe Unionit Kristian Social, që e ka dominuar për dekada të tëra politikën gjermane, mori rezultatin e saj më të keq elektoral që nga Lufta e Dytë Botërore, duke marrë vetëm 24.1 për qind të votave.

Kandidati i SPD-së për kancelar Olaf Scholz, i cili është dhe ministri aktual i Financave si dhe zëvendëskancelar, duket se është tashmë në pozicionin më të mirë për të qenë udhëheqësi i ardhshëm i Gjermanisë. Edhe pse ky nuk është një përfundim i sigurt, pasi negociatat e vështira për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës mundet edhe të dështojnë.

“Nëse Olaf Scholz do të bëhet kancelar, ai do të jetë i favorizuar pasi ka të paktën ka përvojën e një ministri financash”- thotë Daniela Schwarzer, drejtore ekzekutive në Fondacionet e Shoqërisë së Hapur. Schwarzer shtoi se gjithsesi Sholz ka shumë më pak përvojë se sa Merkel, e cila ka luajtur një rol themelor në politikën evropiane për dekada të tëra.

“Scholz si kancelar do të siguronte vazhdimësinë. Ne mund ta shohim që muajt e parë – duke pasur parasysh edhe zgjedhjet presidenciale franceze pranverën e vitit të ardhshëm – ku gjërat mund të jenë më pak të qeta sesa zakonisht”- shtoi ajo.

Advertisement

Si një nga vendet themeluese të BE-së, Gjermania ka mbajtur prej kohësh një peshë të madhe në hartimin e politikave evropiane. Gjatë kohës së saj si kancelare, Merkel ndihmoi në udhëheqjen e reagimit të bllokut ndaj krizës financiare globale, krizës së borxhit sovran, krizës së emigracionit, dhe së fundit atë të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Përtej stilit të ri të udhëheqjes, sot ekzistojnë shumë pyetje të hapura se çfarë do të thotë kancelari i ri gjerman për integrimin më të thellë midis 19 ekonomive të eurozonës.“Ndërsa atmosfera do të jetë pak më pozitive ndaj disa gjërave që dëshiron BE-ja, unë mendoj se aftësia e kancelarit të ri gjerman për të vepruar me vendosmëri do të jetë mjaft e kufizuar”- thotë Robin Bew, drejtor i “Economist Intelligence Unit”.

Kjo ndodh sepse pasi të krijohet koalicioni qeverisës, ka të ngjarë që ai të anojë pak më shumë drejt integrimit në BE-së sesa në të kaluarën. Megjithatë, Bew theksoi se një koalicion trepalësh do të jetë në kohë më i vështirë për t’u menaxhuar, duke pasur parasysh gamën më të gjerë të opinioneve.

“Unë nuk mendoj se në këtë rast do të shihnim një udhëheqje gjermane veçanërisht të fortë”- thekson ai. Ekzistojnë ndërkohë një numër çështjesh ne lidhje me Evropën, me të cilat do të duhet të merret qeveria e ardhshme gjermane.

Advertisement

Një nga projektet kryesore në nivelin e eurozonës, është përfundimi i të ashtuquajturit Unioni Bankar, qëi transferon kompetencat nga autoritetet bankare kombëtare tek institucionet në mbarë Evropën. Ai ka ecur ngadalë në vazhdën e krizës së borxhit, por Gjermania ka qenë veçanërisht nguruese ndaj këtij projekti.

Shumë gjermanë janë kundër projektit, nga frika se mund të detyrohen të paguajnë fatura të mëdha për të mbështetur vendet anëtarë të eurozonës që janë më pak konservatore në aspektin financiar. Po ashtu, zona e euros do të azhornojë vitin e ardhshëm rregullat e saj të borxhit dhe ato fiskale. Kjo do të ndodhë pasi rregullat janë thyer në një numër rastesh, me vendet e ndryshme që raportojnë një borxh mbi 60 për qind. Por pritet që shkeljet të vazhdojnë.

Është e paqartë nëse Gjermania, vend që njihet për mbështetjen e një politike të shtrënguar fiskale në të gjithë bllokun, do të mbështesë ndryshimet në “tavanin” e borxhit. Për më tepër, BE-ja e mori vendimin në korrikun e vitit 2020, për të mbledhur para së bashku nga tregjet publike me synim financimin e rimëkëmbjes së unionit nga pandemia.

I ashtuquajturi Fondi i Rimëkëmbjes u përdor si një masë e menjëhershme për të qetësuar vendet konservatore nga pikëpamja fiskale, sikurse është Holanda. Por disa ekspertë pyesin nëse BE-ja mund ta bëjë atë një mjet të përhershëm, diçka që do të kërkonte mbështetjen e Gjermanisë dhe kancelarit të ri.

Advertisement

Scholz i SPD ka deklaruar se rregullat fiskale të Evropës janë tashmë mjaftueshëm fleksibël, duke i lejuar vendet të shpenzojnë më shumë kur u shfaq pandemia e Covid-19. Gjithashtu, ai u është shmangur pyetjeve në lidhje me rritjen e borxhit të BE-së në të ardhmen, duke thënë se ky nuk është një debat që është shtruar në tryezën e bisedimeve.

Ndërkohë, FDP, e cila ka të ngjarë të përfshihet në koalicionin e ardhshëm qeverisës, “është bërë shumë euroskeptike në drejtim të integrimit më të thellë në eurozonë”, u shprehën në një shënim të hënën analistët në kompaninë konsulente “Eurasia”.

“Një zbutje dramatike e qëndrimit gjerman ndaj borxhit dhe rregullave fiskale të BE-së është diçka e pamundur. Dhe po i tillë është shndërrimi i Fondit të Rimëkëmbjes në një tipar të përhershëm të arkitekturës fiskale të Bashkimit Evropian”-thekson ai.

Një çështje tjetër në Evropë janë përpjekjet e saj ambicioze për të hequr dorë deri në vitin 2050 nga karburantet tradicionale që ndotin shumë mjedisin. Për ta arritur këtë synim, nga ligjvënësit evropianë po diskutohet një plan konkret për të zvogëluar emetimet e gazrave serë me të paktën 55 për qind deri në vitin 2030.

Advertisement

Gjermania, me sektorin e saj të famshëm të prodhimit të makinave, do të ketë një rol kyç për të luajtur në rast se synohet që të përmbushen ambiciet në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Think-tanku “Eurasia” e përshkroi Scholz-in e SPD-së si një pragmatist në këtë front, duke thënë se ai do të jetë “i hapur për të ndihmuar në financimin e kalimit të Gjermanisë drejt zero emetimeve të gazrave serë në atmosferë”.

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, ka qenë një nga të paktët politikanë në Evropë që ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve gjermane. Pasi e uroi Scholz për fitoren, ai tha:“Pas kësaj krize historike, nuk ka më kohë për të humbur: Evropa ka nevojë për një partner të fortë dhe të besueshëm në Berlin, që të vazhdojmë punën tonë të përbashkët për një rimëkëmbje sociale dhe të gjelbër”.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy