Destabiliteti i rrezikshëm i vendeve kufitare të Evropës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Destabiliteti i rrezikshëm i vendeve kufitare të Evropës

Nga Nigel Gould-Davies “The Moscow Times”

Gjatë 2 dekadave të fundit,kufijtë lindorë të Bashkimit Evropian, janë përfshirë shumë herë nga tensionet. Por ato të 2 javëve të fundit janë të paprecedenta. Për herë të parë, në përplasje janë përfshirë njëkohësisht 3 shtete sllave lindore Bjellorusia, Rusia dhe Ukraina.

Dhe moria e çështjeve që janë në lojë – fuqia ushtarake, tregtia energjitike dhe flukset e emigrantëve – është më e gjerë se kurrë më parë. Rajoni është bërë shumë kompleks, i paparashikueshëm dhe gjithnjë e më i rrezikshëm. Kjo nxitet nga2 faktorë kryesorë.

Së pari, me gjithë shtypjen e demonstratave mbarëkombëtare të vitit të kaluar, Alexander Lukashenko e di shumë mirë se Bjellorusia nuk është e qëndrueshme. I indinjuar dhe i kërcënuar nga sanksionet e Perëndimit, si dhe nga refuzimi për ta njohur atë si president, ai po synon që ta frikësojë Perëndimin, në vend se të rivendosë marrëdhëniet me të, siç ka ndodhur pas përplasjeve të mëparshme.

Advertisement

Kriza artificiale e emigrantëve, dhe kërcënimet boshe për të reduktuar furnizimet me gaz përmes linjave transit që kalojnë nëpër Bjellorusi, nxjerrin në pah dëshpërimin e madh të një despoti që ndodhet në pozita të pasigurta, të cilin përveç popullit të tij po e braktis edhe arsyeja. Regjimi i Bjellorusisë, prej kohësh një diktaturë, po bëhet një shtet akoma më i parëndësishëm.

Burimi i dytë i destabilitetit është pakënaqësia në rritje e Rusisë me status quo-në në Ukrainë. Moska nuk dëshiron që të “ngrijë” konfliktin që ka nxitur në lindje të fqinjit të saj, por të imponojë ndryshime të mëtejshme.

Por ndërsa Rusia mbetet publikisht e përkushtuar ndaj Marrëveshjeve të Minskut – të cilat sipas interpretimit të saj do ta federalizonin Ukrainën, dhe do ta shtonin ndikimin rus atje – ajo nuk ka asnjë mënyrë paqësore për ta arritur këtë.

Vendimi i jashtëzakonshëm i Rusisë, në kundërshtim me rregullat protokollare, për të bërë publike korrespondencën e fundit me Francën dhe Gjermaninë, sugjeron se ajo po e humbet interesin mbi diplomacinë. As grumbullimi i madh i trupave të saj ushtarake në kufirin me Ukrainë, nuk do të ndryshojë në vetvete qasjen e Berlinit, Parisit apo Uashingtonit, dhe aq më pak Kievit.

Advertisement

Prandaj, opsioni i vetëm i Rusisë është një përshkallëzim i ri ushtarak. Kjo do të shkaktonte viktima të konsiderueshme dhe sanksione të rënda ekonomike dhe financiare. Megjithatë, udhëheqësit perëndimorë nuk mund të supozojnë se Putin i peshon rreziqet në të njëjtën mënyrë siç mund të bëjnë ata për vendin e tyre.

Eseja e tij e fundit me titull “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve”, ​​tregon se ambiciet e tij shtrihen shumë përtej çështjeve të trajtuara në Marrëveshjen e Minskut.

Lufta e Lukashenkos për mbijetesë, dhe planet e Putinit për Ukrainën, janë jo vetëm destabilizuese, por edhe të ndërlidhura midis tyre.

Pavarësisht marrëdhënies së tyre të vështirë, Putini ka një interes të fortë për ta mbështetur Lukashenkon. Kjo pasi një Bjellorusi e lirë nga ndikimi rus, do të kërkonte jo vetëm marrëdhënie më të mira me Bashkimin Evropian dhe Ukrainën, por do të paraqiste për Rusinë një kërcënim të ngjashëm të një shembulli demokratik, siç bënë revolucionet e Ukrainës në vitet 2004 dhe 2014.

Advertisement

Stërvitjet e përbashkëta të parashutistëve pranë kufirit polak, mbështetja simbolike e Rusisë nëpërmjet fluturimeve të avionëve të saj bombardues bërthamorë, dhe precedenti i krizës së sajuar të emigrantëve të Rusisë kundër Norvegjisë dhe Finlandës në vitet 2015-2016, tregojnë lidhjen e qartë midis politikave ruse dhe atyre bjelloruse.

Ndërkohë, Rusia do të studiojë edhe reagimet ndaj veprimeve të Bjellorusisë, për të vlerësuar sa më saktë vendosmërinë e Perëndimit për t’iu kundërpërgjigjur veprimeve të Moskës. Ngjarjet e fundit kanë prodhuar tashmë efekte shumë të rëndësishme.

Së pari, ato tregojnë se Bjellorusia dhe Rusia mund të marrin iniciativën të kërcënojnë status quo-në aktuale, dhe të përshpejtojnë krizat që më pas mund të militarizohen shumë shpejt. Së dyti, ato janë në fakt teste të reja mbi sanksionet, që janë nga ana e tyre një mjet kyç i politikës perëndimore.

Masat e reja të BE-së, synojnë që të mbyllin zinxhirin kompleks të furnizimit të agjencive

Advertisement

të udhëtimit, shërbimeve konsullore dhe fluturimeve, që i japin mundësi Bjellorusisë ta shndërrojë dëshpërimin dhe mjerimin e emigrantëve në një formë të re të agresionit faktit kundër fqinjëve të saj.

Po ashtu, Perëndimi synon që të shfrytëzojë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të ashpra kundër Rusisë, për të shmangur një pushtim të ri të Ukrainës. Së treti, ato shënojnë fazën e fundit të një fushate të bashkërenduar të presionit rus kundër Evropës, i cili nisi menjëherë pasi mori detyrën administrata e Joe Biden.

Në shkurt të këtij viti, Rusia kërcënoi se do të ndërpresë marrëdhëniet me BE-në, teksa e poshtëroi publikisht Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, gjatë vizitës së tij në Moskë. Në prill, ajo ndërmori një grumbullim masiv të trupave në kufi me Ukrainën.

Muajin e kaluar, Moska refuzoi që të furnizonte me sasi gazi shtesë, për të zbutur një mungesë të përkohshme të tij në tregjet perëndimore, ndërsa sugjeroi se problemi do të zgjidhej me miratimi përfundimtar të projektit të gazsjellësit tashmë të përfunduar “Nord Stream 2”.

Advertisement

Rusia mund ta kishte siguruar Evropën mbi besueshmërinë e saj si furnizuese, duke ofruar vëllime shtesë të gazit. Kjo do të ishte një lëvizje shumë e zgjuar që mund ta kishte lehtësuar miratimin e “Nord Stream 2”.

Por në vend të kësaj, Putin zgjodhi presionin mbi sigurinë. Që atëherë ai i ka thënë Ministrisë së Jashtme se veprimet e fundit të Rusisë, kanë prodhuar një “tension të caktuar” që “duhet të ruhet për aq kohë sa të jetë e mundur”.Ka pak shenja se Rusia kërkon një marrëdhënie “të qëndrueshme dhe të parashikueshme” të cilën e shpreson Amerika, dhe akoma më pak që Bjellorusia do të pushojë së shkaktuari telashe Evropës.

Përkundrazi, një përzierje e paqëndrueshme e revanshizmit, pasigurisë, irracionalitetit dhe forcës ushtarake po nxit tensione dhe turbulenca në rajon. Në rastin më të keq, kjo mund të çojë në krizën më serioze në marrëdhëniet ruso-perëndimore në 40 vitet e fundit./ abcnews.al

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy