Ekspertët e OKB-së: Britania duhet të mbrojë fëmijët e pashoqëruar që kërkojnë azil

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ekspertët e OKB-së: Britania duhet të mbrojë fëmijët e pashoqëruar që kërkojnë azil

Britania duhet të sigurojë, pa diskriminuar, mbrojtjen e të gjithë fëmijëve që kërkojnë azil, dhe duhet t’i japë fund praktikës së vendosjes në hotele të fëmijëve të pashoqëruar, thanë ekspertët e OKB-së.

 

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga njoftimet se fëmijë azilkërkues të pashoqëruar, janë zhdukur dhe janë në rrezik për t’u trafikuar brenda Britanisë”, thanë ekspertët e OKB-së.

 

Advertisement

Sipas një njoftimi për shtyp të publikuar nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ekspertët e OKB-së janë të alarmuar për politikën aktuale dhe praktikën e strehimit të fëmijëve azilkërkues të pashoqëruar, nëpër hotele të përkohshme, në vend të marrjes së tyre nën përgjegjësinë e autoriteteve vendase.

 

“Politika e deritanishme e vendosjes së fëmijëve azilkërkues të pashoqëruar në hotele jashtë sistemit britanik të mbrojtjes së fëmijëve është diskriminuese”, thanë ekspertët, duke shtuar se mangësitë e tilla në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve rrisin rrezikun e trafikimit.

 

Advertisement

Ekspertët e OKB-së theksuan nevojën urgjente për të gjetur fëmijët që mungojnë, dhe për t’u ofruar atyre kushte pritjeje në përmbushje të të drejtave të njeriut, si dhe nevojën për mbrojtje për fëmijët që kërkojnë azil, pa diskriminim në bazë të kombësisë, statusit të emigracionit, racës, etnisë apo gjinisë.

 

“Qeveria britanike duket se nuk po përmbush detyrimet e saj bazë sipas legjislacionit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, për të siguruar trajtimin më të mirë të fëmijëve, pa diskriminim, dhe për të parandaluar trafikimin e fëmijëve”, thanë ekspertët.

 

Advertisement

Ata vunë në dukje se 4600 fëmijë të pashoqëruar janë vendosur në gjashtë hotele që nga qershori 2021, dhe se 440 nga këta fëmijë janë zhdukur, dhe se për 220 prej tyre vazhdohet të mos dihet asgjë, sipas të dhënave të përpiluara deri më 23 janar 2023. Shumica e këtyre fëmijëve janë shtetas shqiptarë.

 

“Praktika është zhvilluar në një klimë armiqësie në rritje ndaj viktimave të trafikimit dhe formave bashkëkohore të skllavërisë, ndaj refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve”, thanë ekspertët e OKB-së.

Ka patur njoftime se disa anëtarë të parlamentit britanik kanë qenë kritikë ndaj kërkesave të viktimave të trafikimit për të marrë mbrojtje bazuar tek Ligji britanik për Skllavërinë Moderne, si dhe tek Mekanizmi Kombëtar i Referimit, duke dëmtuar kështu përmbushjen e detyrimeve të shtetit britanik për të mbrojtur viktimat dhe për të parandaluar trafikimin dhe format bashkëkohore të skllavërisë.

Advertisement

 

Ekspertët e OKB-së thanë se kanë qëndruar në kontakt me qeverinë britanike për këto shqetësime. Raportuesit e posaçëm dhe ekspertët e tjerë të pavarur emërohen nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Ata monitorojnë dhe raportojnë për situata specifike në vende të caktuara apo për çështje tematike. Ata nuk janë staf i OKB-së dhe nuk paguhen për punën e tyre./VOA/

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy