FOTOT: Një biznes 500 miliardë dollarësh, shitja e armëve nuk do t’ia dijë për pandeminë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Shitja e armëve dhe shërbimeve ushtarake nga 100 kompanitë më të mëdha të përfshira në këtë industri, arriti të gjeneronte 531 miliardë dollarë në vitin 2020, një rritje me 1,3% krahasuar me vitin 2019. Kështu thotë një raport i publikuar nga Instituti Kërkimor Ndërkombëtar i Paqes në Stokholm (SIPRI).

Rritja krahasuar me vitin 2015 është 15%, tha raporti. Ky vit është i rëndësishëm sepse është i pari në të cilin janë llogaritur shitjet e armatimeve nga kompanitë kineze.

Pandemia nuk pati asnjë ndikim te shitja e armëve. Edhe pse gjatë vitit 2020 ekonomia botërore u tkurr me 3,1%, shitja e armatimeve pësoi rritje. “Një ndihmë të madhe për këtë industri ka dhënë kërkesa e vazhdueshme e qeverive për armë dhe shërbime ushtarake”, tha Alexandra Marksteiner, kërkuese e Institutit.

Shtetet e Bashkuara kryesojnë edhe një herë listën e shitësve më të mëdhenj. Në total, 41 kompani amerikane kanë siguruar të ardhura në vlerën e 285 miliardë dollarëve, një rritje me 1,9% nga viti 2019. Kompanitë amerikane siguruan 54% të shitjeve të 100 kompanive më të mëdha. Që prej vitit 2018, 5 kompanitë me më shumë të ardhura kanë qenë me seli në SHBA.

Advertisement

Në 100 kompanitë më të mëdha, 5 prej tyre janë kineze. Ato kanë siguruar gjatë vitit 2020 66,8 miliardë dollarë, 1,5% më shumë se në vitin 2019, duke zënë 13% të tregut sa i përket 100 kompanive më të mëdha.

Në listën me 100 kompanitë më të mëdha, 26 janë nga “Kontinenti i Vjetër”, dhe të gjitha së bashku, kompanitë europiane kanë siguruar 109 miliardë dollarë. Kompanitë britanike siguruan 37,5 miliardë dollarë, ndërsa ato gjermane 8,9 miliardë dollarë.

Ndryshe nga trendi i përgjithshëm i industrisë dhe i shteteve të tjera, kompanitë ruse pësuan një rënie të të ardhurave të siguruara nga shitja e armëve në vitin 2020, duke siguruar 26,4 miliardë dollarë, gati 2 miliardë dollarë më pak sesa në vitin 2019.

Baza e të dhënave e institutit suedez, SIPRI, ka nisur të krijohet në vitin 1989 dhe mbledh të dhëna për shitjet që kanë realizuar kompanitë e armëve brenda dhe jashtë vendeve ku kanë selitë qendrore.

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy