FOTOT: Pushtimi i Ukrainës, rusët po përjetojnë pasojat e rënda të sanksioneve ndërkombëtare

Pinterest LinkedIn Tumblr +

“Nëse do të mund të largohesha tani nga Rusia, do ta bëja. Por nuk mund ta lë punën time”, thotë Andrey, një shtetas rus.

Miliona rusë si Andrey kanë filluar të ndiejnë efektin e sanksioneve ekonomike të vendosura nga perëndimi, për të ndëshkuar Rusinë pas pushtimit që ajo nisi ndaj Ukrainës. “Po planifikoj të gjej klientë të rinj jashtë vendit sa më shpejt, dhe të largohem nga Rusia. Këtu jam i frikësuar, janë arrestuar njerëz që kanë folur kundër regjimit”, thotë 31-vjeçari. BBC ka intervistuar, përveç Andrey, edhe shtetas të tjerë rus, por duke mos përdorur emrat e tyre të vërtetë apo të plotë, për arsye sigurie.

Sanksionet që tani po godasin Rusinë po përshkruhen si luftë ekonomike. Këto masa synojnë të izolojnë vendin dhe të krijojnë një recesion të thellë atje, çka ndoshta mund t’i bëjë udhëheqësit e Kremlinit të tërhiqen. Shumë prej këtyre masave, po ia vështirësojnë jetën e përditshme qytetarëve rusë, të cilët për momentin nuk kanë akses në shumë shërbime që janë bllokuar. Sanksionet ndaj disa bankave ruse, kanë ndërprerë shërbimet e Visa, Mastercard dhe rrjedhimisht Apple Pay dhe Google Pay.

Daria, një menaxher në Moskë, tha se për shkak të këtyre masave, nuk kishte qenë në gjendje të përdorte as metronë. “Unë paguaj gjithmonë me telefonin tim, por këtë herë nuk funksionoi. Edhe të tjerët kishin të njëjtin problem. Gjithashtu, nuk mund të paguaja në një dyqan sot, për të njëjtën arsye”, u shpreh ai i shqetësuar.

Advertisement

Probleme të tilla po hasen edhe në qytete të tjera, përveç Moskës. Shumë njerëz po përpiqen të tërheqin para, por sipas BBC Russian, shërbimet dhe aplikacionet që ndihmojnë qytetarët, janë tashmë të bllokuara dhe atyre iu duhet të shkojnë në zyrat bankare dhe të nënshkruajnë një formular për të marrë para.

Megjithatë, bankat duket se nuk janë aq transparente për të deklaruar vështirësitë që po hasin, madje në shumë raste edhe i mohojnë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, mungesa e parave nëpër bankomate mund të jetë një përpjekje për të parandaluar rrjedhjet bankare.

Kremlini ka thënë se Rusia i priste këto sanksione ekonomike dhe është e përgatitur për to, megjithëse nuk ka thënë nëse qytetarëve dhe bizneseve do t’u jepet ndihmë shtesë, siç ndodhi gjatë pandemisë. Kompanitë ruse mund të përfundojnë duke shkurtuar orët e punës, ndërsa shumë rusë parashikohet të humbasin vendet e tyre të punës.

Nga ana tjetër, shumë qytetarë, të pushtuar nga paniku, kanë nisur të mbajnë radhë nëpër supermarkete dhe dyqane, duke u furnizuar me ushqime. Për rusët, e gjithë kjo sjell kujtime të asaj që ndodhi kur presidenti Putin aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe njerëzit qëndruan në radhë për orë të tëra për të marrë para dhe ushqime.

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy