G-20 premton miliarda dollarë për Afganistanin për të “shmangur katastrofën”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
G-20 premton miliarda dollarë për Afganistanin për të “shmangur katastrofën”

Vendet më të industrializuara të botës, anëtare të G-20-ës kanë premtuar miliarda dollarë ndihmë për të parandaluar një katastrofë humanitare në Afganistan, pas një takimi urgjent të martën.

Temperaturat po bien dhe dimri po afrohet me shpejtësi në Afganistan. Agjencitë e ndihmave thonë se miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente. Salam Al-Janabi, me organizatën UNICEF në Afganistan, tha për Zërin e Amerikës se gjendja e fëmijëve është alarmuese.

“Pritet që rreth 3 milion fëmijë të vuajnë nga uria e skajshme. Një milion prej tyre do të luftojnë për jetë a vdekje, pasi do të kenë nevojë për trajtim si rezultat i mungesave të thella ushqimore.”

Kombet e Bashkuara thonë se Afganistanit i duhen miliarda dollarë për të shpëtuar ekonominë e saj dhe për të shmangur katastrofën. Vendet e G-20-ës mbajtën një takim urgjent virtual të martën për të diskutuar mbi krizën.

Advertisement

Kryeministri italian Mario Draghi drejtoi takimin e nivelit të lartë.

“Është hera e parë që udhëheqësit i japin një përgjigje shumëpalëshe krizës afgane. U arrit një konsensus për nevojën që Afganistani të mos lejohet të kthehet në strehë për terroristët ndërkombëtarë.”

Bashkimi Evropian premtoi 1.2 miliardë dollarë për Afganistanin dhe vendet fqinje. Ndihmat do të kanalizohen përmes organizatave ndërkombëtare që punojnë në terren. Deri tani, këtë vit, Shtetet e Bashkuara kanë premtuar 330 milionë dollarë. Presidenti Joe Biden tha në takimin e G-20 se paratë e ndihmave nuk duhet t’u jepen talebanëve.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel tha se nuk mund të ketë njohje të grupit militant për sa kohë që mohon të drejtat themelore për gratë dhe vajzat.

Advertisement

“Jam shprehur shumë qartë: Qeveria talebane nuk është gjithëpërfshirëse. Kjo është arsyeja pse çështja e njohjes së talebanëve nuk është në rendin e ditës. Sidoqoftë, duhet të ketë bisedime, siç po zhvillohen tani e gjithnjë e më shumë.”

Talebanët thanë të martën se bashkësia ndërkombëtare duhet të normalizojë marrëdhëniet. Amir Khan Muttaqi ushtron detyrën e Ministrit të Jashtëm të Afganistanit.

“U përdorën të gjitha alternativat e forcës dhe presionit por pa dobi. Tani duhet të përdorim alternativat e negocimit dhe mirëkuptimit.”

Për afganët e zakonshëm, jeta po vështirësohet. Ekziston një mungesë e theksuar parash. Shumë biznese janë mbyllur, duke çuar në humbjen e vendeve të punës. Rrogat nuk paguhen. Çmimi i mallrave bazë është rritur ndjeshëm si rezultat i viteve të konfliktit dhe thatësirës së rëndë.

Advertisement

Përfaqësuesi i organizatës UNICEF në Afganistan Selam Al-Janabi thotë për Zërin e Amerikës se ndihma humanitare duhet të jetë e depolitizuar.

“Është çështje jete apo vdekjeje për shumë nga këta fëmijë që janë të kequshqyer rëndë. Ajo që ne shpresojmë brenda komunitetit humanitar, brenda UNICEF-it, është që ndihma humanitare e ofruar për familjet, fëmijët dhe nënat të jetë e depolitizuar. Që së pari të përqendrohemi tek urgjenca humanitare, nevojat urgjente të fëmijëve dhe pastaj të përqendrohemi tek të tjerat.”

Talibanët dhe zyrtarët e qeverive perëndimore po zhvillojnë bisedime në Katar për lejimin e futjes së ndihmave në vend dhe largimin e refugjatëve jashtë Afganistanit. Udhëheqësit e G-20 pritet të takohen ballë për ballë në Romë në fund të muajit./VOA

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy