
Gjermania ka mbështetur vendosjen e kufizimeve “të shënjestruara dhe funksionale” për anëtarësimin e Rusisë në sistemin e pagesave SWIFT.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck.
Ata në një deklaratë të përbashkët u shprehën se, Qeveria po punon se si të “kufizojë dëmin kolateral” të kufizimeve “në mënyrë të tillë që të prekë njerëzit e duhur”.
Gjermania është vendi i fundit i BE-së që hoqi kundërshtimin ndaj sanksionit, pasi kryeministri i Italisë, Mario Draghi, dhe udhëheqësi hungarez, Victor Orban, sinjalizuan mbështetjen e tyre më herët.
Vendimi është mirëpritur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha se ai ishte “mirënjohës” ndaj vendeve të BE-së për vendimin.
“Diplomatët tanë kanë luftuar gjatë gjithë kohës që të gjitha vendet evropiane të bien dakord për një vendim shumë të fortë dhe të drejtë për shkëputjen e Rusisë nga rrjeti ndërkombëtar ndërbankar (SËIFT)”, shkroi ai në median sociale Twitter.
Sipas tij, kjo shënjon miliarda e miliarda humbje për Rusinë.
“Ky është çmimi i tij për një pushtim të poshtër të shtetit tonë”, përfundoi Zelensky.
Më herët, ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitry Kuleba, u shpreh se kanë filluar përgatitjet për shkëputjen e Rusisë nga sistemi ndërkombëtar ndërbankar SWIFT.
“E gjithë diplomacia ukrainase funksionoi – nga Presidenti i Ukrainës deri te atasheu në ambasadën ukrainase”, shkruan Kuleba.
Ministri vuri në dukje se diplomatët ukrainas ia kushtojnë këtë fitore të gjitë mbrojtësve të Ukrainës.
Siç raportoi UNIAN, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë konsideruar çështjen e shkëputjes së Rusisë nga sistemi SWIFT për një kohë të gjatë.