Policia italiane ka vendosur në pranga 40 anëtarë të grupit mafioz Ndrangheta. Ata akuzohen për trafik droge me bashkëpunëtorët e tyre në Amerikën Latine dhe pastrim të parave përmes bizneseve që zotëronin kinezët.
Mes personave të arrestuar janë katër shqiptarë dhe dy aziatikë. Ky operacion policor vjen si një finalizim i një hetimi katër vjeçar, i cili gjurmoi trafikun e 1.2 ton kokainë, 450 kg hashash dhe 95 kg marijuanë.
Rrjeti ishte në gjendje të organizonte dërgesat e drogës nga kartelet e fuqishme të Amerikës së Jugut, në bashkëpunim me organizata kriminale kolumbiane, peruane, meksikane dhe boliviane. Paratë e përfituara nga aktivitetet kriminale iu kaloheshin në cash kinezëve, të cilët i përcillnin ato për t’i pastruar në njësi tregtare në Hong Kong.
Hetimi u ndihmua nga zbardhja e bisedave të koduara nga një ekip i përbashkët hetimor i Europolit, në bashkëpunim me amerikanët.
Ndrangheta, e cila i ka rrënjët në rajonin jugor italian të Kalabrisë, ka tejkaluar Cosa Nostra-n si grupi mafioz më i fuqishëm në vend dhe një nga rrjetet më të mëdha kriminale në botë.