
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s u takuan sot në Bruksel, në një samit që do të zgjasë 3 ditë.
Në një konferencë për shtyp para mbledhjes së rëndësishme, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg nënvizoi faktin se një nga çështjet kryesore do të jetë situata e sigurisë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Ne kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë për ndarje e shkëputje në Bosnje dhe Hercegovinë dhe përpjekje malinje të ndërhyrjeve, përfshirë edhe Rusinë. Së bashku me Përfaqësuesit e Lartë të BE-së, ne do të diskutojmë për të rritur stabilitetin në rajon. NATO ka shtuar tashmë 1000 trupa shtesë në Kosovë. Jemi duke shqyrtuar dhe një rritje dhe prezencë më të qëndrueshme në Kosovë”.
Stoltenberg tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e vijimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“ Beogradi dhe Prishtina, duhet të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Stabilitetit varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë, në vend të konfliktit dhe kaosit”
Në këtë takim merr pjesë edhe sekretari amerikan i shtetit Antoni Blinken.
DASH
Sekretari Blinken do të theksojë angazhimin e palëkundur të NATO-s ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus, do të theksojë mbështetjen tonë për demokracinë dhe qëndrueshmërinë rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe do të diskutojë përparësitë e takimit të Uashingtonit në korrik të vitit 2024.
Samiti i ministrave të jashtëm vjen në kohën kur vetëm pak ditë më parë, presidenti i Ukrainës, Zelenski, paralajmëroi se Rusia po kërkon të hapë një vatër të re konflikti në Ballkanin perëndimor, për të krijuar konfuzion në perëndim.