HRW: Mbi 8.000 të vrarë gjatë rrethimit të Mariupolit më 2022

Pinterest LinkedIn Tumblr +
HRW: Mbi 8.000 të vrarë gjatë rrethimit të Mariupolit më 2022

Të paktën 8.000 persona janë vrarë gjatë luftimeve apo nga çështjet e lidhura me luftën gjatë rrethimit rus të Mariupolit. Beteja disamujore në këtë qytet ishte ndër betejat më të mëdha në luftën pothuajse dyvjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës, sipas organizatës për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW).

Mariupoli u bë sinonim i tmerrit gjatë rrethimit pothuajse tremujor rus për kontrollin e këtij qyteti-port strategjik. Rrethimi zgjati mes marsit dhe majit të vitit 2022, përderisa civilët e bllokuar u detyruan të varrosnin viktimat përgjatë rrugëve.

Vlerësimi i HRW, bazuar në imazhet satelitore dhe të tjera imazheve të vendeve ku janë hapur varre, është një prej vlerësimeve të vetme të pavarura deri më tani lidhur me numrin e viktimave në këtë qytet.

Ukraina ka thënë se dhjetëra mijëra persona janë vrarë, por nuk ka mundur të ofrojë një numër të saktë të viktimave, pasi nuk ka qasje në këtë qytet, i cili është nën kontrollin e Rusisë.

Advertisement

Kombet e Bashkuara, që kanë të drejtë të monitorojnë në terren në Ukrainë, deri më tani ka dokumentuar mbi 10.000 vdekje të civilëve në Ukrainë, që kur Rusia ka nisur pushtimin e këtij shteti. Por, OKB-ja ka thënë se deri më tani nuk ka mundur të verifikojë raportimet për numër të lartë të vdekjeve të civilëve në Mariupol, për shkak të kufizimeve në qasje.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat se kryen mizori apo se shënjestron civilët në Ukrainë.

Organizata Human Rights Watch tha se totali mund të jetë shumë më i lartë sesa vlerësimi që ofroi, pasi dihet se në disa varre janë varrosur trupa të shumtë dhe disa vende ku janë varrosur të vrarët mund të mos jenë identifikuar.

Raporti prej 224 faqesh, i titulluar “Qyteti ynë u zhduk: Shkatërrimi i Mariupolit nga Rusia”, u realizua në bashkëpunim me organizatën joqeveritare, Truth Hounds, dhe me firmën arkitektonike, SITU. Raporti po ashtu bazohet në 240 intervista të banorëve të Mariupolit që kanë ikur nga ky qytet.

Advertisement

HRW ka dokumentuar sulme ndaj infrastrukturës civile, përfshirë ndaj spitaleve, një supermarketi dhe një teatri ku po strehoheshin civilët. Organizata nuk gjeti asnjë dëshmi për praninë ushtarake ukrainase në këto vende apo në vendet përreth, gjë që i bën këto sulme të paligjshme.

“Shkatërrimi i Mariupolit nga ‘forcat ruse’ është një prej kapitujve më të këqij të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës”, tha Ida Sawyer, drejtoresh në HRW për kriza dhe konflikte, duke u bërë thirrje qeverive që të hetojnë këto sulme.

Në raport përmenden dhjetë persona, që sipas HRW, kanë “përgjegjësi komanduese”, ndaj të cilëve, sipas kësaj organizate joqeveritare, duhet të përqendrohen hetimet për kryerjen e krimeve të mundshme të luftës./rel

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy