Hungaria e prerë kundër imigracionit: Nuk ka rëndësi ç’vendos BE, ne do të mbrojmë kufijtë tanë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Hungaria e prerë kundër imigracionit: Nuk ka rëndësi ç’vendos BE, ne do të mbrojmë kufijtë tanë

Hungaria nuk do t’i ndryshojë politikat e saj të imigracionit pavarësisht një vendimi të fundit nga gjykata e lartë e Bashkimit Evropian, që i konsideroi ato në kundërshtim me ligjet e bllokut, tha të martën kryeministri Viktor Orban.

Njoftimi i Orban erdhi pasi qeveria anti-imigrim e Hungarisë është e bllokuar në një mosmarrëveshje me BE-në, veçanërisht në lidhje me politikat e qeverisë së tij për emigracionin dhe çështjet LGBT.

Një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë vitin e kaluar tregoi se Hungaria kishte dështuar të respektonte ligjin e BE-së duke i përzënë njerëzit që hynin në vend ilegalisht, duke u mohuar atyre të drejtën për të aplikuar për azil dhe duke i lënë ata në “zonat e tranzitit” përgjatë kufirit jugor të Hungarisë  me Serbinë.

Por gjatë një konference të rrallë shtypi në Budapest të martën, populisti i krahut të djathtë Orban këmbënguli se Hungaria do të vazhdojë politikat e saj të migracionit dhe se “nuk ka rëndësi se çfarë vendosi gjykata evropiane. Hungaria duhet të vazhdojë të mbrojë kufijtë e saj”.

Advertisement

“Ne vendosëm që nuk do të bëjmë asgjë për të ndryshuar mënyrën se si mbrohet kufiri,” tha Orban. “Ne nuk do ta ndryshojmë atë dhe nuk do të lejojmë askënd të hyjë.”

Refuzimi për të respektuar vendimin e Gjykatës Evropiane mund të rezultojë në gjoba të rënda që do t’i vendosen Hungarisë nga BE. Në shtator, gjykata më e lartë e bllokut filloi të lëshojë gjoba ditore prej 1 milion euro për Poloninë, një aleate kyçe e Hungarisë, pasi ajo nuk arriti të pajtohej me një vendim gjykate për pezullimin e ndryshimeve në sistemin e saj gjyqësor.

Gjoba të tilla të mundshme nga BE-ja do të ishin të radhës në një seri gjobash financiare që tashmë e kanë parë Hungarinë të humbasë miliarda fonde nga blloku.

Ekzekutivi i BE-së, Komisioni Evropian, ka bllokuar rreth disa miliardë euro në fondet e rimëkëmbjes së COVID-19 të destinuara për Hungarinë për shkak të asaj që i sheh si masa të papërshtatshme kundër korrupsionit në planin e shpenzimeve të vendit.

Advertisement

Të martën, Orban, i cili pranverën e ardhshme do të përballet me ato që priten të jenë zgjedhjet më të vështira që kur mori pushtetin në vitin 2010, e quajti bllokimin e fondeve të rimëkëmbjes “shantazh politik” dhe tha se BE nuk kishte “të drejtë” të frenonte paratë që i detyrohen Hungarisë.

“E gjithë procedura është sabotimi më brutal i unitetit dhe të ardhmes së Bashkimit Evropian,” tha ai. “Kjo është ajo që po shkatërron Unionin. Unë kurrë nuk kam parë politikë më të papërgjegjshme sesa në këtë çështje. Kush do t’i besojë Komisionit pas kësaj?”

Qeveria e Hungarisë këtë muaj vendosi të ndalojë investimet për të frenuar deficitet buxhetore që dalin nga inflacioni rekord dhe shpenzimet kryesore shtetërore në formën e shkurtimeve të taksave dhe përfitimeve sociale për pensionistët dhe familjet me fëmijë.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy