I dërguari portugez kërkon ndihmën e SHBA për t’iu kundërvënë ambicieve të Kinës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
I dërguari portugez kërkon ndihmën e SHBA për t’iu kundërvënë ambicieve të Kinës

Dikur qendër e një perandorie të fuqishme detare, Portugalia po tërheq vëmendjen e fuqive të mëdha të ditëve tona. Analistët paralajmërojnë se nëse SHBA nuk lëvizin, Kina shumë shpejt do të zgjerojë kontrollin e saj mbi një port portugez.

Pas një muaji, pritet të vendoset fati i një terminali të ri të Portit Sines në bregdetin jugperëndimor të Portugalisë.

Sines është “porti i parë i thellë nëse shkon nga Shtetet e Bashkuara në Evropë, pra është një infrastrukturë shumë e rëndësishme”, tha Domingos Fezas Vital, ambasadori i Lisbonës në Shtetet e Bashkuara, në një intervistë telefonike.

Në vitin 2012, Republika Popullore e Kinës fitoi pjesë në njërin nga katër terminalet e portit, gjë që tërhoqi vemendje për modelin strategjik të Pekinit.

Advertisement

“Tani kemi një ofertë ndërkombëtare për një terminal të pestë, i cili do të jetë terminali i dytë i kontejnerëve,” i tha Zëri i Amerikës Fezas Vital. “Ne do të donim shumë, shumë, shumë shumë që kompanitë amerikane të konkurronin për këtë ofertë; Mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme të kemi një prani amerikane në Sines,” tha ai.

Ai tha se nuk kishte rëndësi nëse oferta do të ishte “vetëm amerikane apo amerikane së bashku me miq dhe aleatë”.

Eric Brown është një anëtar i Institutit Hudson me fokus tek Azia dhe strategjitë globale.

“Është e qartë kur shikon Rrugën Detare të Mëndafshit të Kinës, se një nga ambiciet e tyre është të kontrollojnë detet e Euroazisë dhe pjesëve të mëdha të Afrikës”, tha ai në një intervistë telefonike. “Unë do të thoja që në një skemë globale, kjo përfshin edhe Amerikën Latine.”

Advertisement

“Një nga mënyrat me të cilat ata po përpiqen të fitojnë këtë kontroll është me investime ekonomike të drejtuara politikisht përmes ndërmarrjeve shtetërore dhe ndërmarrjeve të drejtuara nga shteti në porte kritike të Paqësorit, Oqeanit Indian, Mesdheut dhe gjithnjë e më shumë në Detin e Veriut dhe vendet Balltike”, tha ai.

Clyde Prestowitz, themelues dhe president i Institutit të Strategjisë Ekonomike, tha se Amerika aktualisht ka mungesë të vetëdijes për interesat që po luhen dhe mjetet e nevojshme për të kundërshtuar përpjekjet e korporatave kineze të mbështetura nga shteti në vende si Porti Sines.

“Sa kongresmenë dhe senatorë mendoni se kanë idenë që Portugalia dëshiron një investitor amerikan në terminal?” pyeti ai.

Prestowitz, autor i një libri të ri për Amerikën, Kinën dhe luftën për udhëheqjen globale, beson se modeli aktual i drejtimit të biznesit dhe politikës, siç praktikohet nga SHBA dhe vendet e tjera demokratike, duhet të reformohet në mënyrë që të përballojë sfidën q ë paraqet Pekini.

Advertisement

Sipas modelit kinez, korporatat shtetërore bëjnë investime dhe oferta që “një kompani normale nuk do t’i bënte dot”, tha Prestowitz.

Përkundrazi, “mënyra jonë amerikane, anglo-saksone, mënyra demokratike e drejtimit të një ekonomie është që qeveria nuk bën investime, pasi këtë presupozohet ta bëjnë sipërmarrjet e pavarura. Pra, ky nocion i bashkimit të qeverisë dhe biznesit është krejt i huaj për ne,” tha ai.

Në mënyrë që të mos humbasë në garën me ofertat e mbështetura nga shteti kinez për projektet kryesore të infrastrukturës si Porti Sines, Uashingtonit ndoshta do t’i duhet të luajë pjesërisht lojën që luan Kina, sugjeron Prestowitz. Pra, sipas tij, të përdorë më shumë muskujt e qeverisë pas iniciativave të korporatave.

Të tjerë propozojnë krijimin e një aleance tregtare të ngjashme me NATO-n, e cila do të ishte në gjendje t’i përgjigjej me shpejtësi ekspansionizmit ekonomik dhe fuqisë kineze./ VOA

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy