Irani akuzon SHBA-të për vonesa në bisedimet bërthamore

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Irani akuzoi të hënën Shtetet e Bashkuara se po krijon vonesa në negociatat, që synojnë rikthimin tek marrëveshja që kufizon programin bërthamor të Teheranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

 

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanani tha se Uashingtoni po zvarrit përgjigjen ndaj komenteve të Teheranit rreth një propozimi të hartuar nga Bashkimi Evropian.

 

Advertisement

Prej javës së kaluar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shqyrtojnë përgjigjen iraniane.

 

Të enjten zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price u tha gazetarëve se rishikimi po “vazhdon”.

 

Advertisement

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja me Iranin në vitin 2018, marrëveshje të cilën Presidenti i atëhershëm Donald Trump, e cilësoi si një pakt shumë të favorshëm për Teheranin.

 

Si reagim ndaj tërheqjes së Uashingtonit dhe vendosjes së sanksioneve të reja, Irani hoqi dorë nga angazhimet e tij bazuar tek marrëveshja, duke prodhuar sasi më të mëdha uraniumi të pasuruar dhe duke instaluar centrifuga më të avancuara në objektet bërthamore.

 

Advertisement

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se presidenti Joe Biden zhvilloi të dielën një bisedë telefonike me Presidentin francez Emmanuel Macron, Kryeministrin britanik Boris Johnson dhe Kancelarin gjerman Olaf Scholz, gjatë së cilës udhëheqësit “diskutuan rreth negociatave në vazhdim mbi programin bërthamor të Iranit, nevojën për të forcuar mbështetjen për partnerët në rajonin e Lindjes së Mesme, si dhe përpjekjet e përbashkëta për të penguar dhe kufizuar aktivitetet rajonale destabilizuese të Iranit”./voa

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy