Isuf Kalo: Requem për një mjek të shquar që do të na mungojë të gjithëve

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Isuf Kalo: Requem për një mjek të shquar që do të na mungojë të gjithëve

Nga Prof. Isuf Kalo

Përpara dy ditësh u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë një nga figurat e shquara Prof. Dr. Maksim Cikuli. Familja, mjekësia, kolegët, studentët, miqtë e tij dhe gjithë shoqëria jonë humbën një mjek të devotshëm, të diplomuar shkëlqyeshëm në fakultetin tonë të mjekësisë. Ai ishte një specialist, pedagog , shkencëtar dhe intelektual elitar si edhe nje humanist dhe qytetar me kulturë të gjërë me etikeë ekzemplare dhe edukatë shembullore qytetare.

Prof. Cikuli i specializuar në Francë ishte një ndër themeluesit e gjenetikës tonë mjekësore, drejtues i Departamentit të Pediatrisë dhe dy herë Ministri ynë i shëndetësisë në vitet 1993-1997 dhe 2006. Ai do mbahet mend si një nga drejtuesit më të respektuar, më të kulturuar dhe me duart më të pastra në krye të saj. Në atë detyrë Prof. Cikuli do mbetet unik, sepse zbatoi një koncept modern të qeverisë, pa kapardisje e arrogance. Ai u bazua në forcën e qytetarisë dhe modestisë, në shembullin e tij personal dhe me përgjegjshmërinë e lartë prej lideri. Në vend të bujës, protagonizmit personal e autoritarizmit; ai e interpetoi qeverisjen si mision të përbashket shtetëror dhe jo si privilegj vetiak pushtetor. Përkundër autolëvdatave, burokracisë dhe manipulimeve të hasura tradicionalisht në administratat tona të larta shtetërore ai i besoi delegimit të detyrave, në vend të centralizimit, dhe gjithë përfshirjes së stafit duke i motivuar ata me respekt të sinqertë, fleksibilitetit e mirëkuptim të ndërsjelltë. Në fakt aso kohe Maksi ishte më demokrat, një hap më pranë Evropës dhe me fisnik sesa ishte ndërkohë shëndetësia jonë dhe vetë Shqipëria. Me tërësinë e meritave dhe vlerave të tij prof Cikuli pati fituar respekt e admirimin edhe tek ekspertët e organizatave të huaja që operonin në Shqipëri. Ata e ndjenë që ai kishte vlera të “racës” së tyre. Drejtori i OBSH për Evropën në ato vite Dr Mark Danson, në periudhën që Prof. Cikuli u largua nga posti i ministrit i propozoi atij postin prestigjoz në Kopenhagen të Drejtuesit të Departamentit të Etikës për Evropën. Por Dr. Maksi nuk e la Shqipërinë. Ai e donte dhe ju pati përkushtuar sinqerisht asaj.

Por për fat të keq të tij dhe tonin ai dy ditë më parë na la. Mjekësia nuk mundi të bënte për t’i shpëtuar jetën atë që ai kishte bërë për ta modernizuar. Por le të ndjehemi fatlumë që e patëm. Unë vetë ndjehem i privilegjuar që e njoha dhe që pata rastin të bashkëpunoj ngushtë me të. Si edhe të ndaj miqësi kolegësh e sidomos të mësoj prej shembullit të tij. Pa dyshim me vlerat, meritat dhe shembullin që shpalosi ai sa familjes do të na mungojë edhe ne të gjitheve. Do ti mungojë veçanërisht mjekësisë tonë dhe vetë Shqipërisë, elitës së saj të etur sot për figura e shembuj të rrallë të tillë.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy