Izraeli: Kemi ndalur një raketë të lëshuar nga Libani

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Izraeli: Kemi ndalur një raketë të lëshuar nga Libani

Ushtria izraelite tha më 28 tetor se ka ndaluar një raketë tokë-ajër të lëshuar nga Libani, përderisa autoritetet libaneze lëshuan një udhëzues në rast se duhet të bëhet evakuimi i aeroportit në Bejrut, në kohën kur tensionet në kufirin mes dy shteteve janë rritur.

 

Ushtria izraelite dhe grupi Hezbollah në Liban, që ka mbështetjen e Iranit, kanë këmbyer zjarr në baza ditore, që kur nisi konflikti midis Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, në Rripin e Gazës tri javë më parë.

Këto janë tensionet më të larta në kufirin mes Izraelit dhe Libanit që kur të dyja palët zhvilluan një luftë më 2006.

Advertisement

 

Në konfliktin e vitit 2006, pistat e Aeroportit Ndërkombëtar të Bejrutit, që gjendet në jug të kryeqytetit të Libanit, ishin cak i sulmeve ajrore izraelite. Atëbotë, aeroporti u mbyll.

 

Me tensionet që janë rritur sërish, autoritetet në Liban lëshuan një udhëzues për evakuimin e aeroportit dhe instilacioneve përreth në rast të një emergjence. Megjithatë, në udhëzues nuk sugjerohet se ka një kërcënim të menjëhershëm për aeroportin.

Advertisement

 

Konflikti në Gazë, ku Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore, detare dhe tokësore, ka rritur frikën se luftimet mund të zgjerohen në rajon, përfshirë edhe në kufirin me Libanin.

 

Të shtunën, ushtria izraelite tha se pengoi “një raketë tokë-ajër të lëshuar nga Libani” drejt një droni izraelit. Ushtria tha se u kundërpërgjigj “duke goditur vendin prej ku u hodh raketa”.

Advertisement

 

Po ashtu tha se dronët izraelitë kanë goditur “caqet terroriste” në Liban që po tentonin të lëshonin drejt izraelit raketa kundërtanke.

 

Televizioni Al-Manar, që udhëhiqet nga Hezbollahu, tha se Izraeli ka granatuar disa zona përgjatë zonës kufitare, përfshirë edhe përreth qytetit Nakura.

Advertisement

 

Hezbollahu tha se deri të premten, 47 luftëtarë të tij janë vrarë gjatë përleshjeve në kufi. Më herët gjatë javës, ushtria izraelite tha se shtatë ushtarë janë vrarë që nga 7 tetor, kur Hamasi nisi sulmet./rel

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy