
Libia vijon te vuajë dëmet katastrofik që ka lënë stuhia “Daniel” pas përmbytjeve masive. Ekipet e shpëtimit vijojnë të jenë në garë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve, shpresë kjo që po shuhet nga ora në orë.
Mijëra persona humbën jetën kur dy diga shpërthyen pas reshjeve intensive në qytetin e Dernas. Deri më tani janë shënuar 11 mijë viktima, shifër kjo që mund të shkoj në 20.000, nga lista e gjatë e personave që rezultojnë të zhdukur.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit rreth 30.000 njerëz kanë mbetur në qiell të hapur, pasi banesat e tyre janë shkatërruar.
Numri i lartë i trupave të dekompozuar nën rrënoja në qytetin e Dernas ka ngritur shqetësime për rrezikun e sëmundjeve për të mbijetuarit. Ndërkohë komuniteti ndërkombëtar ka përshpejtuar përpjekjet për të siguruar ndihma. Zyra për koordinimin e çështjeve humanitare në OKB, bëri thirrje për grumbullimin e mbi 71 milion dollarëve për të adresuar nevojat urgjente të qytetarëve të prekur.